Forcat Ajrore izraelite kanë bombarduar jugun e Gazës mëngjesin e sotëm, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vazhdon turin e tij në Lindjen e Mesme për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës Izrael/Hamas.
Krahas përpjekjeve luftarake dhe diplomatike, Izraeli do të dalë sot para Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) me akuzat për “gjenocid” për shkak të sulmit të tij në Rripin e Gazës, të iniciuar nga Afrika e Jugut.
Presidenti izraelit Isaac Herzog i quajti ato “absurde”.
Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, forcat ajrore izraelite nisën sulme të reja të rënda në Khan Yunis, qytet në Gazën jugore, i cili është bërë fokusi i armiqësive javët e fundit.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, të paktën 7 persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën. Organizatat ndërkombëtare vazhdojnë të paralajmërojnë se një fatkeqësi e shëndetit publik po shpaloset në Rripin e Gazës, me 85% të popullsisë të zhvendosur.
Gjithashtu shpërndarja e ndihmave po përballet me pengesa “pothuajse të pakapërcyeshme”, tha dje kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare, asgjë nuk duket se mund t’i japë fund kësaj lufte, e cila këtë javë hyri në muajin e saj të katërt.
Kreu i diplomacisë amerikane Antony Blinken, vendi i të cilit është aleati kryesor i Izraelit, po përpiqet të parandalojë përhapjen e luftës në rajon, ku Hamasi ka shumë aleatë, organizata të armatosura të mbështetura nga Irani në Liban, Siri, Irak dhe Jemen. /abcnews.al