Bledar Morina kampion i kërcimeve në Ujëvarën e Mirushës

Është mbajtur gara e kërcimit në stilin dallëndyshe në ujëvarën e Mirushës. Hapjen e saj e  bëri kampioni i shumëfishtë Florid Gashi me një performancë akrobatike. Gara u zhvillua në lartësinë prej 10 metra dhe pjesëmarrës ishin 8 garues. Secili prej tyre patën mundësinë të kërcejnë nga ujëvara në dy raunde. Ndërsa vlerësimi u bë nga juria e përbërë prej dy ish kampionëve  Yll Manxhuka dhe Shkëlzen Goqi si dhe legjendës së kërcimeve Gonxhe Gjiha e cila është e vetmja femër kosovare që ka kërcyer nga ura e Mostarit dhe ura e Fshajtë.

Dallëndyshja e ujëvarës së Mirushës njëherit edhe kampioni i kësaj gare arriti të bëhet 21 vjeqari Bledar Morina. Ai u vlerësua me pikët maksimale nga juria me gjithësej 60 pikë. Ky çmim për të ishte i pari dhe se sipas tij është një shtytje e madhe kjo që të vazhdojë tutje.

Vendin e dytë e fitoi garuesi Afrim Kajdomqi i cili tha se kjo fitore e ka bërë të ndjehet mjaft mirë dhe se noti është pasioni i tij.

Ndërsa i treti në këtë garë doli Florid Gashi. Ai këtë pjesëmarrje tha se e bëri më shumë për atraksion sepse synimi i tij është të rrëmbejë titullin përsëri të kampionit të kërcimeve nga Ura e Fshajtë.

E pranishme ishte edhe nënkryetyarja e federatës së notit të kosovës Kimete Alidemi. Ajo tha se është mjaft e kënaqur me organizimin e garës dhe me faktin që ky sport nuk po lihet anash në Kosovë.

Krejt në fund u ndanë edhe mirënjohje për të gjitha ata që kontribuan në mbarëvajtjen e kësaj gare. Organizatorët njoftuan se garat e kërcimit nga Ura e Fshajtë do të mbahen me 1 gusht të këtij viti. Përndryshe të gjithë të pranishmit jo vetëm që patën mundësinë të shohin secilën përformancë të kërcyesve por të njëjtën kohë u relaksuan me bukurinë natyrore dhe freskinë që ofron Ujëvara e Mirushës.

Read Previous

​Arrestohen 24 persona

Read Next

Bislimi thotë se në Bruksel iu përgjigj Serbisë për asociacionin