Zëvendës kryeministri në detyrë, Besnik Bislimi ka folur për fondet që Kosova pritet t’i pranojë nga Plani i Rritjes së BE-së.
Bislimi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kjo ka ndodhur për shkak se aprovimi i Planit të Rritjes në Këshillin e BE-së është bërë me vonesë dhe Komisioni nuk ka arritur t’i përmbahet afateve të saja të paracaktuara.
Sipas tij, në qoftë se Komisioni Evropian do t’i përmbahej këtyre afateve të paracaktuara nga ana e tyre, Kosova sot do ta kishte një marrëveshje të ratifikuar.
“Është shkaktuar një mjegulli e madhe në raport me fondet që Kosova pritet t’i pranojë nga Plani i Rritjes së BE-së, andaj më lejoni të qartësoj situatën për opinionin publik. Fillimisht, në procesin e draftimit dhe negocimit të agjendës së reformave, Qeveria e Kosovës i është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme përveçse në kohë, edhe me cilësi. Mirëpo, si shkak i aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes në Këshillin e BE-së, Komisioni nuk ka arritur t’i përmbahet afateve të saja të paracaktuara. Prandaj, në qoftë se Komisioni Evropian do t’i përmbahej këtyre afateve të paracaktuara nga ana e tyre, ne sot do ta kishim një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes dhe do të kishim pranuar paradhënien tashmë”, thuhet në postim.
Bislimi tha se është më se e rëndësishme të potencohet se asnjë pagesë, përfshirë paradhënien, nuk mund të humbet.
“Ato do të disbursohen në momentin që Kosova ratifikon marrëveshjen dhe plani do të vazhdojë direkt në fazën e implementimit ashtu siç është paraparë. Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen”, ka shkruar ai.
Bislmi po ashtu foli edhe për funksionimin e Qeverisë në detyre edhe pse nuk është bërë ende konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
“Së fundmi, edhe pse konstituimi i Kuvendit ende nuk është përfunduar, dhe anëtarët e Qeverisë janë në detyrë, aparati shtetëror prapë funksionon si gjithmonë. Shumë punë janë duke u zhvilluar dhe ministritë e institucionet e tjera të linjës po i kryejnë detyrat dhe aktivitetet e tyre brenda afateve dhe kompetencave. Marrëveshjet e ligjet e nevojshme po përgatiten për aprovim në Qeveri e Kuvend sapo të krijohen institucionet. Andaj, as paratë dhe as zbatimi i agjendës së reformave nuk po rrezikohen”, ka shkruar ndër të tjera Bislimi. /Telegrafi/