Bislimi: Beogradi po minon përpjekjet e Kosovës për t’i integruar serbët

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, në një intervistë për mediumin opozitar serb, Danas, ka potencuar se Beogradi zyrtar po minon përpjekjet e Kosovës për t’i integruar serbët duke i penguar këta të fundit të gëzojnë të drejtat që u janë garantuar.

Krerët institucional të Kosovës, sipas Bislimit, po zhvillojë dialog lokal me serbët ku deri më tani vetë ai ka zhvilluar nënë raunde bisedimesh.

“Kryeministri Kurti është takuar me ta në disa raste edhe zëvendëskryeministrja jonë Emilja Rexhepi e bën këtë rregullisht. Gjithashtu, ministrat e linjës organizojnë takime të fokusuara në sektorë të ndryshëm”, ka thënë Bislimi duke shtuar se “do të dëshiroja që Beogradi t’i mbështesë serbët e Kosovës që të gëzojnë të drejta të garantuara nga Kosova, pa i frikësuar sa herë që angazhohen në bisedime me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës”.

Bislimi gjithashtu ka theksuar se “qëllimi i Serbisë është ta portretizojë Kosovën si një shtet të dështuar”, ndërsa institucionet e Kosovës “si të paaftë” të cilët nuk duan të integrojnë pakicën serbe.

“Gjë që thjesht nuk është e vërtetë. Serbia nuk përmbahet të sakrifikojë serbët e Kosovës”.

Sipas tij, Prishtina zyrtare është e vetëdijshme se kryetarët aktualë në Veri nuk kanë “legjitimitet të plotë”.

“Vakuumi institucional nuk i shërben askujt. Kosova po përpiqet ta zgjidhë problemin, por nuk mund ta bëjë këtë derisa Beogradi po i bën presion dhe frikëson serbët e Kosovës”, ka shtuar ai. /Albanianpost.com

Read Previous

IKD e AKK e konsiderojnë anti-Kushtetues, udhëzimin administrativ për zgjedhjet në veri

Read Next

Arrestohet një person për posedim të substancave narkotike