Numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri në vitin 2023 është prej 21 mijë e 286. Kjo shifër është tregues i një rënieje me 11.3% të vdekjeve në krahasim me vitin 2022.
Jetët e humbura nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe ato të frymëmarrjes shënuan rënie gjatë vitit të kaluar, por ato me sëmundje tumorale shënuan rritje.
Kështu reflektojnë të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave INSTAT, ku vdekjet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” zënë peshën më të madhe në totalin e vdekjeve të regjistruara me 51,7%, duke vazhduar të jetë shkaku kryesor i vdekjeve. Krahasuar me vitin paraardhës, vdekjet nga kjo grup-sëmundje kanë shënuar rënie me 15,9%.
“Sëmundjet kronike të zemrës” (37,4%), “Sëmundjet ishemike të zemrës” (24,4%) dhe “Sëmundjet e enëve të trurit” (24,2%) zënë peshën më të madhe të vdekjeve në grup-sëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.
Grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, përbën grupin e dytë me peshën më të lartë të vdekjeve (20,9%). Krahasuar me vitin e kaluar, janë shënuar 8.6 % më pak humbje jete. Vdekje nga pleqëria përbën 73.7% të vdekjeve për këtë grup-sëmundje.
Grup-sëmundja “Tumoret” përbën grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 15,7% të vdekjeve gjithsej. Krahasuar me vitin 2022, janë regjistruar 3,2% më shumë humbje jete.
Sëmundjet “Tumor malinj i aparatit të tretjes” (38,0%), “Tumor malinj i aparatit të frymëmarrjes” (22,2%) dhe “Tumor malinj i organeve urogjenitale” (13,8 %) përbëjnë peshën më të madhe të vdekjeve në këtë grup-sëmundje.
Krahasuar me vitin 2022, vdekjet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të frymëmarrjes” zënë peshën kryesore në rënien gjithsej të vdekjeve të regjistruara gjatë vitit 2023.
Nga 21 mijë e 286 të vdekur gjithsej, 53,8% janë meshkuj dhe 46,2% janë femra. Si te femrat dhe te meshkujt, grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” përbën shkakun kryesor të humbjeve të jetës, përkatësisht 53,6% femra dhe 50,0% meshkuj.
Grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” përbën shkakun e dytë kryesor të vdekjeve për të dyja gjinitë, ku përqindja e vdekjeve te femrat është më e lartë se te meshkujt, 24,3% me 18,0%. Grup-sëmundja e tretë vijon me “Tumoret”, me përqindjen më të lartë të vdekjeve te meshkujt (18,0%) krahasuar me femrat (12,9%).
Për grup-moshën 0-19 vjeç, pesha më e madhe e humbjeve të jetës lidhet me grup-sëmundjet “Sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes” (29,5%) dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (20,3%). “Dëmtime traumatike dhe helmime” (32,4%) dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (27,0%) përbëjnë grupet me peshën më të madhe në vdekjet e shkaktuara për grup-moshën 20-44 vjeç.
Për grup-moshat 45-64, 65-79 dhe 80+ vjeç, grupi kryesor mbetet “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.
Analizuar sipas shkakut të vdekjeve, në grup-sëmundjen “Tumoret”, përafërsisht gjysma e humbjeve të jetës i përket grup-moshës 65-79 vjeç (49,6%). Në grup-sëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”, 51,3% e humbjeve të jetës i përket grup-moshës mbi 80 vjeç.
“Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” përbën shkakun kryesor të vdekjeve për grup-moshën mbi 80 vjeç (75,3%). Ndërkohë, në grup-sëmundjen “Dëmtime traumatike dhe helmime”, 31,3% e humbjeve të jetës i përket grup-moshës 45-64 vjeç.
Në vitin 2023, në secilin qark, numri më i madh i vdekjeve shkaktohet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” ndjekur nga “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” dhe “Tumoret”./Albanianpost.com