Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi të martën për një rritje të madhe të një sërë tarifash për mallrat e importuara kineze, përfshirë makinat elektrike, mikroprocesorët dhe pajisjet mjekësore.
Në këtë vit zgjedhor, ky vendim që rrezikon të acarojë marrëdhëniet me Pekinin, shihet si përpjekje për të joshur votuesit që po i vlerësojnë me notë të dobët politikat ekonomike të zotit Biden.
Presidenti Biden do t’i mbajë në fuqi tarifat e vendosura nga paraardhësi i tij republikan Donald Trump dhe do të shtojë një sërë tarifash të tjera, përfshirë katërfishimin e tarifave doganore për makinat elektrike, të cilat pritet të rriten në mbi 100 për qind nga tarifat e tanishme, njoftoi Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate.
Ajo iu referua “rreziqeve të papranueshme” ndaj sigurisë ekonomike amerikane që paraqesin ato që konsiderohen si praktika tregëtare jo të drejta kineze që po mbushin tregjet globale me prodhime të lira.
Tarifat e reja do të vendosen për një kategori mallrash të importuara kineze me një vlerë prej 18 miliardë dollarësh, përfshirë artikuj si çeliku, alumi, gjysmë përçuesit, bateri, minerale të rralla dhe panele diellore ndër të tjera sipas Shtëpisë së Bardhë./Sinjali/