Burime nga Shtëpia e Bardhë: Për 6 muaj, Kabuli në duart e talebanëve
Presidenti amerikan Joe Biden nuk është penduar për vendimin e tërheqjes së plotë të trupave amerikane nga Afganistani, pavarësisht se administrata e tij po numëron ditët deri në rënien pashmangshme të kryeqytetit Kabul në duart e ekstremistëve talebanë.
Duke folur para gazetarëve, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se i takon ushtrisë afgane të përgjigjen për sigurinë e vendit të tyre, teksa pas tërheqjes së trupave amerikane, Uashingtoni po i ndihmon ata me operacione nga ajri dhe po u paguan rrogat forcave të Afganistanit.
Megjithatë, e përditshmja prestigjioze Uashington Post citon burime të brendshme të Shtëpisë së Bardhë, ku përllogaritet se me këto ritme të përparimit të talebanëve dhe me kundërpërgjigjen e dobët të forcave qeveritare, brenda 6 deri 12 muajve fortesa e fundit Kabuli, do të bjerë në duart e ekstremistëve islamikë. Shumë ekspertë thonë se rënia mund të jetë edhe më e shpejtë, ndoshta brenda 90 ditëve.
Talibanët kanë marrë kontrollin e 9 prej 34 kryeqendrave të rajoneve të vendit, teksa beteja më e fortë po zhvillohet për Mazari Sharifin, qytetin më të rëndësishëm të veriut të vendit. Luftimet e nisura muajin e kaluar i kanë marrë jetën deri më tani mbi 1 mijë civilëve dhe qindra luftëtarëve nga të dyja frontet.