Presidenti amerikan, Joe Biden ka lëshuar falje parandaluese për Dr. Anthony Fauci, gjeneralin në pension, Mark Milley dhe anëtarët e komitetit të Dhomës që hetoi sulmin e 6 janarit në Kapitol, duke përdorur fuqitë e zyrës së tij në orët e tij të fundit, për t’i mbrojtur ata kundër “hakmarrjes” së mundshme nga administrata e ardhshme Trump.
Vendimi i Bidenit vjen pasi Donald Trumpi paralajmëroi për një listë armiqsh, e mbushur me ata që kanë kërkuar ta mbajnë atë përgjegjës për përpjekjen e tij për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, dhe rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit të SHBA-së më 6 janar 2021, raporton AP.
“Kombi ynë u detyrohet këtyre nëpunësve publikë një borxh mirënjohjeje për angazhimin e tyre të palodhur ndaj vendit tonë”, ka thënë Bideni në një deklaratë.
Është e zakonshme që një president të japë mëshirë në fund të mandatit të tij, por këto akte zakonisht u ofrohen amerikanëve të zakonshëm që janë dënuar për krime.
Por Bideni e ka përdorur pushtetin në mënyrën më të gjerë dhe më të paprovuar: për të falur edhe ata që as nuk janë hetuar ende.
Fauci ishte drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë për gati 40 vjet dhe ishte këshilltari kryesor mjekësor i Bidenit deri në pensionimin e tij në vitin 2022. Ai ndihmoi në koordinimin e reagimit të vendit ndaj pandemisë COVID-19 dhe shkaktoi zemërimin e Trumpit kur ai refuzoi të mbështeste pretendimet e pabaza të Trumpit. Ai është bërë një shënjestër e urrejtjes intensive dhe egërsisë nga njerëzit në të djathtë, të cilët e fajësojnë atë për masat e maskave dhe politikat e tjera që ata besojnë se shkelnin të drejtat e tyre, edhe kur dhjetëra mijëra amerikanë po vdisnin.
Mark Milley është ish-kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit dhe e quajti Trumpin fashist për shkak të kryengritjes vdekjeprurëse të 6 janarit 2021.
Biden ka falur gjithashtu anëtarët dhe stafin e komitetit të 6 janarit, duke përfshirë ish-deputetët Liz Cheney dhe Adam Kinzinger, të dy republikanë, si dhe oficerët e policisë metropolitane të Kongresit të SHBA-së që dëshmuan para komitetit.
Biden, një institucionalist, ka premtuar një tranzicion të qetë në administratën e ardhshme, duke ftuar Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe duke thënë se kombi do të jetë në rregull, edhe pse ai paralajmëroi gjatë fjalimit të tij lamtumirës për një oligarki në rritje.
Ai ka kaluar vite duke paralajmëruar se ngjitja përsëri e Trumpit në presidencë do të ishte një kërcënim për demokracinë. /Koha.net/