Nëntorin e ardhshëm “do të mundim Donald Trump”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e shpjegon në X, duke thënë në rrjetin social “E kam të vështirë të pres. Jam gati të luftoj”.
Pasi shumë i kanë kërkuar të bëjë një hap prapa, ai përsërit dëshirën për të ecur përpara, pavarësisht se përballja televizive me Trump nuk shkoi mirë, duke e penalizuar atë si kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Biden nuk po dorëzohet. “Nuk do të lejoj që një debat 90-minutësh të fshijë tre vjet e gjysmë punë. Unë do të qëndroj në garë dhe do ta mund Donald Trump”, nënvizon ai.
Intervista për rrjetin ABC
Biden dha gjithashtu një intervistë për transmetueain ABC. “Debati ishte një episod i keq. Unë isha i rraskapitur”, tha ai , por “jo shenjë e një problemi më serioz”.
Presidenti më pas shtoi “Unë nuk i dëgjova instinktet e mia për sa i përket përgatitjes” dhe Trump “gënjente vazhdimisht”.
Megjithatë, Biden iu shmang pyetjeve të intervistuesit George Stephanopoulos, i cili e pyeti presidentin amerikan nëse ai ishte i gatshëm të bënte një test konjitiv dhe t’i bëjë publike rezultatet.
Çdo herë, presidenti u përpoq ta zhvendoste temën në arritjet e Shtëpisë së Bardhë.
Jam “mirë”, tha Biden, duke deklaruar se asnjë mjek deri më tani nuk i ka thënë atij se një test i tillë është i nevojshëm.
“Unë bëj një test konjitiv çdo ditë gjatë kryerjes së detyrave të mia si president”, tha ai.
Mbështetja e Demokratëve bëhet gjithnjë e më e dobët
Megjithatë, mbështetja e frontit demokratik po kërcet gjithnjë e më shumë: një deputet i katërt demokrat i ka kërkuar presidentit të heqë dorë nga kandidatura e tij.
Pas Lloyd Doggett, Raul Grijalva dhe Seth Moulton, ai që i kërkon publikisht liderit demokrat të tërhiqet është Mike Quigley.
“President, ne ju detyrohemi një borxh të madh mirënjohjeje. Por e vetmja gjë që mund të shmangë një katastrofë është të largohesh nga gara dhe t’u japësh hapësirë të tjerëve”, theksoi Quigley. /Albanianpost.com