Berisha: Mobilizim në mbështetje të revoltës studentore, nuk mund të ketë parlament në këto kushte
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se opozita nuk do të lejojë zhvillimin normal të punimeve parlamentare në kushtet aktuale politike, ndërsa bëri të ditur se PD-ja do të angazhohet në mbështetje të protestës studentore dhe organizimit të protestave kombëtare.
Gjatë një konference për mediet, në përgjigje të pyetjeve për qëndrimin e opozitës në Kuvend, Berisha tha se përfaqësuesit e PD-së do të paraqiteshin në komisionet parlamentare për të bërë një deklaratë dhe më pas do të largoheshin.
“Nuk mund të ketë parlament në këto kushte. Sot përfaqësuesit tanë në detyrë, kryetari apo nënkryetari, janë paraqitur te komisionet për të bërë një deklaratë dhe për t’u larguar”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se opozita do të përqendrohet në mobilizimin e strukturave të saj për mbështetjen e protestës studentore dhe organizimin e protestave kombëtare.
“Ne jemi në një detyrë shumë të rëndësishme të mobilizimit me të gjithë potencialin tonë të mbështetjes së përditshme të revoltës studentore dhe organizimit periodik të protestave kombëtare në mbështetje të kësaj revolte. Në mbështetje dhe mbrojtje të studentëve”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të ndjekë të njëjtën qasje ndaj protestave si në tubimin e parë, duke paralajmëruar se kjo strategji do të dështojë.
“Edi Rama, siç bëri me protestën e parë, që ndërmori një agresion mesjetar primitiv me të gjitha mjetet kundër saj, përpiqet me të njëjtin skenar me këtë të dytën. Por absolutisht do dështojë dhe do ta shohë vetë se do dështojë”, deklaroi Berisha.
Berisha gjithashtu dënoi ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve, duke paralajmëruar ndëshkime ligjore për punonjësit e policisë që, sipas tij, kanë kryer shkelje.
“Garantoj secilin prej atyre narko-mercenarëve që për 2500 euro shndërrohen në kafshë dhe jo njerëz ndaj të rinjve, vajzave, djemve, qytetarëve, që do të dënohen për krime të rënda, për aktet që ata kryejnë”, u shpreh ai.
I pyetur për qëndrimin e opozitës ndaj reformës zgjedhore, Berisha u shpreh në mbështetje të listave plotësisht të hapura.
“Ne jemi për listat e hapura përfundimisht. Po, plotësisht. Pa diskutim”, deklaroi ai.
Berisha tha se PD-ja kishte qenë dakord edhe me propozimin për lista 100% të hapura të paraqitur gjatë konsultimeve nga një prej partive të tjera opozitare, të kryesuar nga Adriatik Lapaj.
Sa i përket mundësisë së kundërshtimit në Gjykatën Kushtetuese të masave të propozuara nga qeveria, Berisha deklaroi se opozita do t’i drejtohet këtij institucioni, megjithëse shprehu mosbesim ndaj tij. /ATSH/