Aleanca kërkon shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës për vrasjen e Arlinda Zekajt
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara nga presidentja, Kuvendi duhet të vendosë përmes votimit nëse do të ketë plotësim-ndryshime të ligjit apo jo.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ka bërë të ditur se Komisioni për Legjislacion është ngarkuar për ta trajtuar këtë çështje dhe ka katër javë kohë për të shqyrtuar të gjitha aspektet, para se t’i drejtohet Kuvendit.
Ajo ka thënë se, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit, kthimi i ligjit përbën veto të presidentes.
“Dhe në këtë rast, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të votojë për apo kundër. Pra, roli i Kuvendit në këtë pikë, është a do të ketë plotësim ndryshim të ligjit apo nuk do të ketë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka paralajmëruar se shkresa e presidentes do të bëhet publike nga Kuvendi, nëse nuk është publikuar tashmë.
“Unë kam pasur përshtypjen që Shkresa e Presidentes është bërë publike, nëse jo, atëherë ne do ta marrim përsipër si Kuvend, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Do ta marrim përsipër si Kuvend që ta bëjmë publike dhe pastaj ta shihni ju si të tillë Shkresën e Presidentes”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka shtuar se, sipas leximit të saj, shkresa i referohet deklaratës së Kuvendit të Kosovës dhe kërkesës së grupit parlamentar të PDK-së për kthimin e ligjit në leximin e tretë.
“Në bazë të leximit tim, nuk ka ndonjë çështje me theks që është e identifikuar, i referohet deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, por po ashtu edhe kërkesës së grupit parlamentar të PDK-së për kthim të ligjit në leximin e tretë. Megjithatë, atë do ta bëjmë publike, do ta ndajmë me ju dhe natyrisht e vlerësoni pastaj ju si të tillë”, ka deklaruar Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit ka bërë të ditur se ka pasur komunikime me grupin parlamentar të PDK-së lidhur me këtë çështje, por ka theksuar se shqyrtimi i saj i takon Komisionit për Legjislacion.
“Ne kemi pasur komunikime edhe me grupin parlamentar të PDK-së, sot në mëngjes dhe gjatë gjithë vikendit, por natyrisht që i përket komisionit për legjislacion që t’i trajtojë të gjitha këto aspekte, pra ky është vetëm qëndrimi im, në bazë të asaj çfarë kam lexuar në gjykimin e Gjykatës, por edhe në rregulloren e punës së Kuvendit”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se pas shqyrtimit nga Komisioni për Legjislacion, çështja do t’i përcillet Kuvendit për vendimmarrje.
“Sot e kam ngarkuar komisionin për legjislacion, komisioni për legjislacion i ka katër javë kohë për ta trajtuar si të tillë dhe pastaj t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është e rëndësishme që të vazhdojë puna e grupit punues për strategjinë për apelin, pra fokusi duhet të vendoset tek ajo”, ka përfunduar Haxhiu. /RTKlive