Kolektivi Feminist thërret protestë të mërkurën kundër vrasjes së grave

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist u bën thirrje qytetarëve të protestojnë të mërkurën në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për mbrojtjen e grave dhe drejtësi për viktimat e femicidit.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar për mbajtjen e protestës me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, e cila do të mbahet të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Përmes kësaj proteste, organizatorët synojnë të mobilizojnë qytetarët kundër dhunës ndaj grave dhe të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet për rastet e femicidit dhe dështimet e pretenduara në parandalimin e tyre.

Në thirrjen për protestë, Kolektivi thekson se dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si një dukuri normale dhe kërkon reagim të menjëhershëm shoqëror e institucional për të garantuar jetën dhe sigurinë e tyre.

Organizatorët e kanë lidhur thirrjen për mobilizim edhe me vrasjen e fundit të Arlinda Zekajt, duke pretenduar se viktima kishte kërkuar ndihmë para se të vritej. Sipas tyre, ky rast dhe rastet e tjera të femicidit dëshmojnë për nevojën e një reagimi më të fuqishëm institucional ndaj paralajmërimeve për dhunë dhe rreziqeve me të cilat përballen gratë.

Kolektivi kritikon institucionet për mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës ndaj grave dhe kërkon që përgjegjësitë të mos mbeten pa adresuar. Në thirrjen e publikuar, organizatorët e përshkruajnë dhunën ndaj grave si pasojë të një shoqërie patriarkale dhe të një sistemi institucional që, sipas tyre, nuk ofron mbrojtjen e nevojshme.

Përveç protestës së së mërkurës, Kolektivi paralajmëron mobilizim edhe në ditët në vijim, me veprime që synojnë institucionet përgjegjëse për drejtësinë dhe sigurinë publike. Në thirrje përmenden Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e Kosovës dhe Qeveria.

Kërkesat kryesore të organizatorëve janë trajtimi i vrasjes së grave si urgjencë kombëtare, rritja e përgjegjësisë institucionale, mbrojtja e grave nga dhuna dhe garantimi i drejtësisë për viktimat e femicidit.

Në fund të thirrjes, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist u bën apel qytetarëve që t’i bashkohen protestës dhe të solidarizohen në kërkesën për siguri, liri dhe drejtësi për gratë në Kosovë. /RTKlive

Read Previous

Vrasja e Arlindës, Muhaxheri: Nuk do të lejojmë asnjë lloj fshehjeje apo minimizimi të përgjegjësisë

Read Next

Çitaku kërkon llogaridhënie dhe dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt