Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ka marrë vetëm Chris LaCivita nga fushata e Donald Trump. Ai po kërkon të “rrëmbejë” edhe idenë e një programi të brendshëm, i cili vëmendjen e ka te prodhimi vendas dhe te ringritja e industrisë.
Pas shpalljes së një koalicioni me nota shumë të ngjashme me fushatën MAGA të Trump, Berisha po e përdor kartën “Made in Albania” si një mjet për të synuar votuesit.
Emërtimi i koalicionit opozitar: Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Slogani i Berishës: Made in Albania.
Këtu do të synohet duket, nga daljet e para, të cilat i paraprijnë një fushate zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.
Ndryshimin, në programin e tij, Berisha e sheh edhe te sektori i energjisë dhe burimeve natyrore.
Për habi, përkon kjo me fushatën shumë të ashpër që Trump ka ndërmarrë ndaj Ukrainës, për të përmbyllur sipas kushteve të tija një marrëveshje për mineralet e rralla.
Sipas Berisha, “Shqipëria Madhështore” arrihet përmes projekteve, që e kthejnë vendin në superfuqi rajonale të energjisë.
Ai madje e artikulon qartë: Te programi i PD për energjinë dhe burimet natyrore shoh Shqipërinë Madhështore të viteve që vijnë.
Është një formë që edhe Trump vetë e përdor në daljet e tija publike.
Këtë Berisha kërkon ta arrijë përmes potencialit intelektual dhe ekspertizës më të mirë shqiptare dhe ndërkombëtare.
Ai thotë se do të forcojë institucionet kërkimore-shkencore, si një element kyç për të shfrytëzuar në mënyrë racionale pasuritë natyrore të vendit.
Flet edhe për prodhimin vendas të energjisë:
“Ne duam të përdorim çdo burim energjie për t’ua shitur shqiptarëve më lirë energjinë. Ky është një qëllim madhor i yni. Por ne do të përdorim çdo burim energjie, për të shumëfishuar prodhimin e saj dhe për ta eksportuar”.
Ai po ashtu përmendi faktin se “Made in Albania” do të jetë motoja e krenarisë kombëtare.
“Shqiptarët duhet të krenohen me markën ‘Made in Albania’ me prodhimin ‘Made in Albania’”, shtjelloi Berisha gjatë takimit me ekspertë të fushës.
Është megjithatë paradoksale në njëfarë mënyrë, që komente të tilla vijnë nga një ish-kryeministër, në kohën e të cilit shqiptarët nuk paguanin energjinë elektrike masivisht, nuk ndëshkoheshin për këtë dhe lidhjet e jashtëligjshme në rrjet ishin një normë.
Do të thotë kjo se e Berishës është një kthesë reflektive për gabimet e të kaluarës? Apo është një krah që ai kërkon të marrë – ashtu si Trump – me sloganet që gjejnë mbështetje brenda, por të cilat mund edhe të mos jenë të realizueshme.
E sigurt është vetëm një gjë: Ai çastin po e përdor dhe më shumë se kaq, po e vendos në epiqendër të fushatës së ardhshme zgjedhore./albanianpost/