Berat Gjimshiti, mbrojtësi i Atalantës, ka dhënë një intervistë për kanalin e “Lega Serie A” në kuadër të formatit “Made in Italy”, ku është shprehur: “Futbolli është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën time, ashtu si edhe familja që kam krijuar. Dhe besoj se kjo nuk është pak, sepse familja është diçka shumë e rëndësishme për mua, është thelbi i shoqërisë. Kjo më ka bërë të qaj, të gëzoj dhe të ndihem i lumtur në çdo aspekt të rrugëtimit tim. Të gjitha këto kanë ndodhur së bashku, por më besoni, gjithçka është e mundur në jetë, sepse kur nisa, sigurisht nuk e mendoja se do të arrija në këtë nivel”.
Si u përshtate me futbollin italian? Fillimi ishte me të vërtetë i vështirë sepse, për të qenë i sinqertë, nuk e kisha ndjekur shumë futbollin italian më parë. Shikoja më shumë futbollin gjerman, sepse është më afër Zvicrës. Edhe në familje shiheshin më shumë ndeshje të Bundesligës. Kur mora telefonatë nga Atalanta, nisa të informohem, pashë ndeshje në televizor dhe ndoqa lojtarët e Atalantës.
Pse zgjodhe pikërisht Italinë? Ajo që më shtyu të zgjidhja Italinë në vend të Zvicrës ishte padyshim futbolli. Vendi juaj ka gjithmonë një traditë të madhe futbolli, shumë më të avancuar se ajo zvicerane, si në aspektin e sistemit, ashtu edhe në nivelin e zhvillimit. Ishte një zgjedhje për karrierën time, për të ndërtuar diçka të rëndësishme dhe pasur sukses në të ardhmen. Mendoj se ka qenë një vendim thelbësor për mua.
Çfarë mendimi ke për njerëzit e Bergamos? Sigurisht që ndjehem edhe bergamask, sepse mentaliteti, në njëfarë mënyre, është shumë i ngjashëm me atë të njerëzve që kam njohur gjatë jetës. Besoj se shumica e tyre janë njerëz mjaft punëtorë, shumë të drejtë dhe që bëjnë shumë sakrifica. Kjo përputhet shumë me mua si person, ndaj ndiej thuajse sikur kjo është shtëpia ime e dytë.
A je i njëjti si në fushë, ashtu edhe jashtë saj? Mendoj se ka ndryshime, madje shumë. Në fushë duhet të kesh dhe të tregosh një lloj lidershipi, natyrisht edhe pak agresivitet, veçanërisht në rolin tim si mbrojtës. Në jetën e përditshme nuk jam ashtu, në shtëpi jam një njeri i thjeshtë. Më pëlqen të jem me familjen, të kaloj kohë me fëmijët e mi.
Çfarë kujton nga fillimet e tua tek Atalanta? Gjithçka ishte e re për mua. Fola me Sartorin, që ishte drejtori sportiv në atë kohë, ai më tha se kishte vendosur të më merrte në skuadër. Më foli gjithashtu për vlerat që një lojtar duhej të kishte për të luajtur në këtë klub. Nuk mund të harroj që në atë periudhë më tha edhe: Ne jemi një klub që rrit të rinjtë dhe më pas i shet te ekipet më të mëdha. Me kalimin e kohës, situata ndryshoi. Atalanta është tashmë ndër ekipet më të mira në vitet e fundit. Prandaj nuk është më saktësisht i njëjti klub, por besoj se vazhdon të vlerësojë shumë të rinjtë dhe identiteti ka mbetur i njëjtë. Motoja është që gjithmonë duhet të djersitësh. Në dhomën e zhveshjes kemi një logo ku shkruhet që duhet të japësh gjithçka, dhe që, pavarësisht rezultatit, lojtari duhet të thotë se në fushë ka dhënë shpirtin.
Cila është gjëja më e bukur që ke arritur me Atalantën? Ëndrra më e bukur që kam jetuar këtu ka qenë fitorja e ‘Europa League’, çka është si ‘qershia mbi tortë’ dhe gjëja më e rëndësishme që kam arritur në karrierën time. Dua të më kujtojnë si djalë i thjeshtë dhe punëtor, që gjithmonë ka dhënë gjithçka për këtë fanellë dhe për këtë qytet. Shpresoj që të kenë vetëm fjalë të mira për mua, ashtu sikurse unë do të kem gjithmonë për bergamaskët, jo vetëm kur të tërhiqem, apo nëse një ditë do të largohem nga këtu. Shpresoj vetëm të kem lënë kujtime të bukura këto vite”. /Telesport.al/