Behrami: Leao paguhet si kampion, por nuk është i tillë si futbollist

Te Milani vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes çështja e lënies në stol të Rafael Leaos në ndeshjen e madhe ndaj Napolit, të cilën kuqezinjtë e humbën 2-0. Paulo Fonseca zgjodhi ta linte bashkëkombasin e tij jashtë formacionit startues dhe ta aktivizonte gjatë lojës, me ishlojtarin e Sporting dhe Lille që u përpoq “ta minonte” mbrojtjen napolitane me disa inkursione të shpejta, të cilat vunë në alarm Di Lorenzo.

Kapiteni i Napolit mori masa më pas, duke shmangur rreziqe të reja dhe neutralizuar kundërshtarin. Në orët në vijim të ndeshjes së vlefshme për javën e 10-të të Serie A, shumë vazhdojmë të reflektojmë mbi vlerën e Rafael Leaos. Një temë që ndan opinionin public sportive në Itali.

“Ai nuk është kampion”. Kështu tha në studiot e DAZN ish-mesfushori Valon Behrami, duke shpjeguar tezën e tij: “Ne duhet ta përcaktojmë saktë fjalën kampion, Leao nuk është i tillë për momentin. Ky është mendimi im. Ai pati një sezon të mrekullueshëm, duke fituar titullin, por që atëherë nuk mund ta përcaktoj si kampion. Nuk mund ta shoh si të tillë, përderisa nuk qëndron në skenën qendrore për shumë ndeshje radhazi. Ne e dimë se sa i mirë është ai në fushë të hapur, por duhet të ndalojmë së trajtuari Leaon si kampion. Nëse trajneri e ul në stol, e ka një arsye. Le të rrijë në pankinë dhe kaq”.

I pranishëm në studio, edhe Daniele Adani pranoi se ishte dakord me ish-mesfushorin e Zvicerës: “Vetë Milani e bëri kampion me fjalë. Kampion të bën fusha e lojës, produkti që jep, sjellja e treguar. Leao është larg këtij statusi, referuar performancës së treguar prej tij”.

NUMRAT E LEAOS – Këtë sezon, Rafael Leao ka shënuar 1 gol dhe dhënë 4 asiste deri më tani, në 11 paraqitje mes Serie A dhe Champions League. Portugezi ka luajtur gjithmonë titullar në Europë, ndërsa në Serie A ka provuar jo pak edhe stolin. Pas humbjes 2-1 në Firence, portugezi regjistroi dy stola radhazi, shenjë e një hapi prapa në hierarkinë e Paulo Fonseca. /Telesport.al/

Read Previous

Kurti: Investimet e huaja direkte nga Zvicra në Kosovë në katër vitet e fundit janë rritur për rreth 170 për qind

Read Next

Kush është egjiptiani i ri që e ka çmendur Evropën