Begaj: Serbia me aleatët janë mobilizuar ta njollosin luftën e shqiptarëve, të jemi bashkë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka paralajmëruar se Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për ta njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve.

Në fjalimin e seancës solemne për 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, Begaj ka thënë se shqiptarët duhet të bëhen bashkë.

“Në një kohë kur Serbia dhe aleatët kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për të njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve, kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë, për një manifest krenarie kombëtare”, ka thënë Begaj.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se familja Jashari kanë qenë simboli dhe flakadani i lirisë së Kosovës.

“Sot përulemi para Jasharëve, familjes simbol të martirizimit për Kosovën e pavarur, flakadan i lirisë së saj. Nderojmë kryetrimin Adem Jasharin, legjendë e gjallë e atdhedashurisë, burra të tillë rrallë i lind historia. Sot është dita të kujtojmë të gjithë luftëtarët e UÇK-së, ata që i falën Kosovës së pavarur e të lirë jetën dhe ata që amanetin e bashkëluftëtarëve ua transmetuan brezave të rinj. Liria nuk është dhuratë, ajo duhet të mbrohet”, ka thënë Begaj.

Presidenti i Shqipërisë kujtoi ish-presidentin Ibrahim Rugova, ish-veprimtarin Adem Demaçi.

“Në përvjetor të tillë të shenjtë, përulemi para martirëve dhe figurave të shquara që me jetën dhe veprën për Pavarësinë e Kosovës lanë gjurmë të pashlyeshme në histori. Sot nderojmë Rugovën, arkitektin e pavarësisë dhe simbolin e paqes që vendosi çështjen e Kosovës në të gjitha kancelaritë perëndimore, nderojmë Adem Demaçin, veprimtarin qendrëstar të çështjes kombëtare, përulemi para familjes Jashari, familjes simbol të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Begaj gjithashtu përmendi shqiptarët nga Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut që iu bashkuan luftës së UÇK-së.

Presidenti shqiptar ka listuar vendet prej nga Shqipëria, dhjetëra njerëz iu bashkuan UÇK-së për t’i dal krahë Kosovës.

Kurse kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka theksuar se 25 vjet në historinë e një shteti nuk janë pak, por një çerekshekull i republikës, i një populli për të cilën shteti ka qenë një planet i largët, është vepër domethënëse çlirimtare e Kosovës, vepër e popullit të Kosovës, i cili besoi në mbështetjen e gjatë e të pamposhtur, në luftëtarët e ideve të çlirimit dhe të paqes, simbol i të cilëve u bë presidenti Rugova.

“Kosova e zhvilluar, demokratike dhe paqësore do të vijojë të ndërtohet po me ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj. Me mbështetjen e tyre, e ardhmja euroatlantike e Kosovës është e sigurt. Pa ndihmën e tyre asgjë nuk është e garantuar”, ka shtuar ajo. /RTK/

Read Previous

Fjalimi i Wesley Clark më 12 qershor 1999

Read Next

Carragher: Italia eleminohet që në grupe