Bashkimi Evropian u ka kërkuar vendeve anëtare që t’i përgjigjen kërkesës së Libanit për pajisje mjekësore dhe medikamente pas operacionit tokësor izraelit në pjesën jugore të vendit.
Komisionerja e Shëndetësisë e BE-së Stella Kyriakides dhe komisioneri për menaxhimin e krizave Janez Lenarçiç u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që t’i ofrojnë ndihmë mjekësore Libanit, në një letër drejtuar vendeve anëtare, të siguruar nga Euronews.
Letra citon “armiqësitë e vazhdueshme, të cilat kanë vënë një tendosje të rëndë mbi shërbimet mjekësore në Liban”. Që nga 30 shtatori, Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) kanë nisur një operacion tokësor në Libanin jugor, duke synuar grupin militant Hezbollah të mbështetur nga Irani.
Komisioni Evropian ka marrë një kërkesë zyrtare për ndihmë nga autoritetet libaneze, duke theksuar nevojën urgjente për furnizime jetike mjekësore, thuhet në letër.
Kjo kërkesë po përpunohet përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, i krijuar në vitin 2001, i cili ka zgjeruar bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE-së dhe 10 vendeve të tjera pjesëmarrëse për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive.
Megjithëse Libani nuk është anëtar i mekanizmit, çdo vend në botë, si dhe agjencitë e OKB-së dhe organizata të tjera ndërkombëtare mund të kërkojnë ndihmë nga BE-ja dhe 10 partnerët në kohë emergjence.
Letra thekson se sistemi i kujdesit shëndetësor të Libanit po përpiqet të përballojë numrin në rritje të viktimave, me shumë pacientë që kërkojnë urgjentisht trajtim mjekësor të specializuar që nuk është më i disponueshëm për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës së kujdesit shëndetësor.
Komisionerët e BE-së u kërkuan vendeve anëtare të “veprojnë me shpejtësi dhe në mënyrë të koordinuar”, duke u bërë thirrje ministrave të shëndetësisë dhe autoriteteve të mbrojtjes civile “të ofrojnë urgjentisht ndihmë të mëtejshme mjekësore për Libanin”.
Asistenca do të koordinohet përmes autoriteteve kombëtare të mbrojtjes civile dhe do t’i drejtohet Qendrës së Koordinimit të Reagimit Emergjent (ERCC), qendra operative e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.
Që nga fillimi i tij, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së i është përgjigjur mbi 700 kërkesave për ndihmë në mbarë botën.
Vetëm në vitin 2023, ai u aktivizua 66 herë, duke iu përgjigjur krizave të tilla si lufta në Ukrainë, zjarret në Evropë dhe tërmeti në Siri dhe Turqi./euronews/