BE presion të shtuar Shqipërisë: Tërhiquni nga pasaportat e arta, rrezikoni regjimin e vizave

Shqipëria duhet ta ndalë përpjekjen e saj për implementimin e një programi për pasaportat e arta, njohur ndryshe edhe si shtetësia për investitorët.

Kështu shkruhet në raportin e pestë të bashkësisë evropiane, pas kritikave në raportin e katërt, ku thjesht përforcohet i njëjti qëndrim nga unioni.

“Ngritja e një skeme për t’i dhënë shtetësinë investitorëve do të binte ndesh me rekomandimet e bëra në raportin e katërt, të bazuar tek Mekanizmi i Pezullimit të Vizave si edhe në paketën e zgjerimit të vitit 2021”, bëhet me dije në raportin e pestë të Komisionit Evropian, siç raporton media “Schengen Visa”.

Sipas strukturave evropiane, një vendim i tillë nga Shqipëria, mundet të cenojë edhe politikat migratore të BE-së dhe kjo, do të vinte pas një plani të detajuar pesë pikësh, për të luftuar pikërisht migrimin e paligjshëm dhe të drejtuar konkretisht për nga gjashtë vendet e Ballkanit.

Po ashtu, skena të pastrimit të parave, mund të jenë më të arritshme në Tiranë në këtë kontekst, nëse plani i Qeverisë aplikohet, sipas vlerësimit të Komisionit.

Paralajmërime kanë ardhur edhe për një pezull potencial të regjimit të vizave, nëse qëndrimi nuk ndryshon.

Pse BE-ja ka frikë nga ky vendim?

Sipas KE-së, vendet në të cilat ekziston një nismë e tillë janë përfshirë në afera të paligjshme si pastrimi i parave dhe korrupsioni.

Duhet theksuar se “Skemat e Pasaportës së Artë” sjellin përfitime të konsiderueshme për sektorin ekonomik.

Pavarësisht paralajmërimeve të Komisionit të BE-së, autoritetet në Shqipëri prezantuan ndryshime të reja në ligjin për partneritetin publik-privat (PPP).

Aktualisht qeveria shqiptare po planifikon të punësojë firma private për promovimin e skemave të tilla në vende të tjera.

Edhe pse programi Shtetësia për investim është konsideruar si një portë për shumë afera të paligjshme, sipas autoriteteve në Shqipëri, kjo skemë nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Kjo, pasi dhënia e kontrolleve të shtetësisë dhe sigurisë do të mbahej nën juridiksionin shtetëror.

Por Brukseli ka një mendim tjetër.

Sipas raportit të fundit të progresit të Shqipërisë, të prezantuar vitin e kaluar, vendosja e një skeme të tillë përbën rrezik ndër të tjera për sigurinë e vendit.

“Programe të tilla paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit, korrupsionin dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me acquis të BE-së. Prandaj, si vend kandidat, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të tillë”. /Albanianpost.com

Read Previous

Kthehet pas 120 vitesh libri në bibliotekën e shkollës

Read Next

OBSH-ja synon marrëveshje globale për luftim të pandemive