Këshilli i BE-së miratoi të enjten e 20 tetorit, me procedurë të shkruar, sanksionet kundër Iranit për furnizimin e Rusisë me dronë për sulmet në Ukrainë.
Këtë e ka bërë të ditur Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së në median sociale “Twitter”.
“Sanksionet kundër Iranit në kohë rekord! Pas tre ditësh negociata, ambasadorët e BE-së ranë dakord për masat kundër organizatave që furnizojnë dronët iranianë që kryen sulme në Ukrainë. Procedura me shkrim ka përfunduar, sanksionet hyjnë në fuqi pasditen e sotme pas publikimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në mesazh.
Vihet re se vendet e BE-së kanë vendosur të ngrijnë asetet e 3 individëve dhe 1 organizate përgjegjëse për dërgesat me dron.
BE-ja është gjithashtu e gatshme të zgjasë sanksionet ndaj 4 organizatave të tjera iraniane që ishin tashmë në listën e mëparshme të sanksioneve.
Sipas mediave, Shahed Aviation Industries, kompania përgjegjëse për projektimin dhe zhvillimin e UAV iranian Shahed, është sanksionuar.
Lista përfshin gjithashtu shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura iraniane, gjeneralmajor Mohammad Hossein Bagheri, komandantin e Korpusit të Hapësirës Ajrore të IRGC-së, Sayed Aghajani dhe Khojatola Goreishi, i cili është përgjegjës për logjistikën në Ministrinë iraniane të Mbrojtjes. /Albanianpost.com