Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një prononcim për rrjetin evropian të lajmeve “Euractiv” të hënën, njoftoi se institucionet evropiane ende nuk e kanë pranuar raportin përfundimtar të përgatitur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.
“Sa i përket raportit përfundimtar për sulmin në Banjë, të përgatitur nga Kosova, nuk ka asgjë të re. Nuk e kemi marrë ende raportin përfundimtar”, theksoi Stano, ndonëse Qeveria e Kosovës pretendon se tashmë u kanë ofruar institucioneve evropiane prova dhe dëshmi për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veriun e banuar me shumicë serbe.
“Komisionit Evropian (KE) i janë ofruar raporte, prova dhe dëshmi të aktit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe duhet të ketë një reagim serioz nga BE-ja”, deklaroi në kushte anonimiteti një zyrtar i përfshirë drejtpërdrejtë në hetimin e inkursionit serb në veriun e trazuar të Kosovës.
Duke qenë se në këtë fazë, asnjë prej shteteve kryesore perëndimore nuk ka bërë publike rezultatet e hetimeve për sulmin paramilitar të 24 shtatorit, zyrtarë institucionalë dhe vëzhgues të huaj kanë kërkuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare të përgjigjen dhe t’i prezantojnë të gjeturat e hetimeve, për shkak se autoritetet serbe mohojnë përfshirjen në këtë sulm. /Albanianpost.com