Jo të gjitha vendet e BE-së besojnë se sulmi i Izraelit ndaj Iranit është i ligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar, dhe dallimet do të jenë të dukshme kur ambasadorët të takohen në Bruksel sot përpara një samiti të krerëve të shteteve dhe qeverive që do të zhvillohet javën e ardhshme.
Ndashmëritë mbi justifikimin e sulmit të Izraelit ndaj Iranit të premten e kaluar pritet të dalin në pah midis ambasadorëve në Bruksel sot, duke penguar përpjekjet e BE-së për të gjetur një përgjigje të përbashkët ndaj krizës, sipas burimeve me të cilat ka folur Euronews.
“Është padyshim një çështje që po diskutohet – në çfarë mase është e pranueshme kjo e drejtë e vetëmbrojtjes”, tha një burim, transmeton Telegrafi.
BE-ja lëshoi një deklaratë të shtunën duke u bërë thirrje “të gjitha palëve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare, të tregojnë përmbajtje dhe të përmbahen nga ndërmarrja e hapave të mëtejshëm që mund të çojnë në pasoja të rënda, siç është lëshimi i mundshëm radioaktiv”.
Burime pranë diskutimit thonë se një pjesë “e madhe” e diskutimeve midis shteteve anëtare ishte, nëse BE duhet të deklarojë se “Izraeli ka të drejtë të mbrohet” në kontekstin e sulmeve të tij kundër Iranit.
Rreth 15 shtete anëtare, përfshirë Austrinë, Çekinë, Francën, Gjermaninë, Hungarinë, Italinë dhe Holandën, donin ta shtonin këtë rresht, por nuk u ra dakord unanimisht.
Disa vende të tjera menduan se nuk kishte prova të mjaftueshme që Izraeli ka të drejtë sipas ligjit ndërkombëtar për të nisur ofensivën e tij kundër Iranit.
Sipas ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së, një shtet mund të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje në rast të një sulmi të armatosur ose sulmi të afërt. Çdo veprim i nevojshëm duhet të jetë gjithashtu proporcional.
Nuk ka konsensus për sulmet që justifikohen përmes të drejtës së mbrojtjes.
Izraeli thotë se seria e tij e sulmeve është lëvizje parandaluese për të ndaluar Iranin të sigurojë armë bërthamore.
Çështja do të diskutohet nga ambasadorët në Bruksel të enjten dhe është një pikë e rendit të ditës për samitin e BE-së të krerëve të shteteve dhe qeverive të javës së ardhshme.
Draft-përfundimet për atë samit të parë nga Euronews, aktualisht nuk përmbajnë asnjë formulim në lidhje me qëndrimin e Këshillit të BE-së mbi konfliktin Izrael-Iran.
Ndërkohë, burime të BE-së i thanë Euronews se ishin “të befasuara” nga një cicërimë nga Presidentja e Komisionit që njoftonte mbështetje të nënkuptuar për sulmet e Izraelit kundër Teheranit.
Mesazhi nga Ursula von der Leyen shkoi më tej se deklarata e dakordësuar e Këshillit Evropian, i cili është krahu i BE-së me autoritetin për të kryer politikë të jashtme.
Ursula von der Leyen shkroi në Twitter: “Fola me presidentin Herzog në lidhje me situatën në rritje në Lindjen e Mesme. Unë përsërita të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”.
“Nuk kishte konsensus për të thënë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten, por Von der Leyen e tha gjithsesi”, tha një burim tjetër diplomatik.
“Ajo e pa gjuhën e dakordësuar dhe më pas bëri deklaratën e saj”, thanë ata.
“Ishte zhgënjyese për të qenë i sinqertë”, tha diplomatja.
“Presidentja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, qëndrimi i saj është marrë tashmë mjaft qartë nga deklarata e udhëheqësve të G7 mbi zhvillimet në rajon”, tha zëdhënësi i von der Leyen kur u pyet për ndryshimin midis deklaratës zyrtare të BE-së dhe asaj të presidentes së Komisionit. /Telegrafi/