Basha: Penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit Emmanuel Macron i cili dha lajmin e vetos së mundshme franceze, në pezullimin e vizave për Kosovën.

“Penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog e as për t’i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë. Evropa nuk mund të vazhdojë të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur me 24 shtator dhe as të mbyllë sytë përballë përgjegjësisë së Serbisë, presidenti i të cilës sfidon hapur, duke refuzuar sanksionet ndaj Rusisë dhe duke u shfaqur në krah të Vladimir Putin”.

Sipas Bashës, skenarët për destabilizimin e gjithë rajonit janë para syve të çdokujt, ndaj është i domosdoshëm angazhimi maksimal Euro-Atlantik në dialogun Kosovë-Serbi, për zbatimin e planit Franko-Gjerman dhe përmbylljen me një marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke.

“Si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Evropë tani është koha që 4 vendet e mbetura të NATO-s ti hapin rrugë anëtarësimit të Kosovës në Aleancë duke nisur me përfshirjen në Partneritetin për Paqe”.

Gjatë ditës sotme, Macron deklaroi në konferencë për media bashkë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se Franca ka kërcënuar se do pezullojë procesin e liberalizmit të vizave, meqë Kosova nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë.

“Ju kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës, fjala nuk po mbahet pres të angazhohen dy palët. Është kusht i paqes në të gjithë zonën”, ka deklaruar Macron.

Ai ishte i prerë në qasjen që ka Parisi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka kërkuar respektimin sa më të shpejtë të planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve, zhvillimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve në komunat veriore, si edhe njohjen e asociacionit nga pala kosovare.

“Presim nga Kosova dhe Serbia, riorganizimin e zgjedhjeve në komunat veriore, pjesëmarrja e serbëve, njohjen e asociacionit nga Kosova. Pres që Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga Osmani dhe Kurti”, pohoi Macron. /Albanianpost.com

Read Previous

PE do të hedhë në votim rezolutën për Kosovën të enjten, bëhet thirrje për sanksionimin e Serbisë

Read Next

Pezullimi i vizave për Kosovën s’mund të bëhet pa procedurë në Këshillin e BE-së