Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës ka filluar dëshminë e tij Bardhyl Mahmuti, një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në cilësinë e dëshmitarit të 13-të me radhë në këtë gjykim, por i pari nga ana e mbrojtjes.
Ai është duke dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe po përgjigjet në pyetjet e avokatit Jean-Louis Gilissen, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nga ana e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Mappie Veldt-Foglia është dhënë një udhëzim për dëshmitarin Mahmuti në sesion privat.
Seanca po vazhdon në sesion publik, ku mbrojtja synon që për tri orë ta përfundojë marrjen e tij në pyetje.
Paraprakisht, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka dhënë disa urdhra dhe udhëzime për vazhdimin e procedurës në këtë çështje.
Ajo ka urdhëruar mbrojtjen që të shkurtojë kohëzgjatjen për marrjen në pyetje të disa dëshmitarëve, duke i lejuar kështu mbrojtjes 31.5 orë për marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
Po ashtu, ka kërkuar që të përcaktohen datat e sakta për dëshmitarët, si dhe të paraqiten me kohë kërkesat për video-konferenca nëse është e nevojshme.
Më tej, trupi gjykues ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për shtimin e shtatë materialeve në listën e provave, por në anën tjetër ka refuzuar përdorimin e dy materialeve për dëshmitarin e sotëm me arsyetimin se nuk është vërtetuar lidhja e tyre me akuzat ndaj Shalës.
Por, është lejuar përdorimi i disa materialeve rishtazi për këtë dëshmitar, me arsyetimin se janë nxjerrë në kohën e duhur dhe se mbrojtësi i viktimave dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’i lexuar.
Gjykatësja Veld-Foglia ka kërkuar që mbrojtja të japë emrin e ekspertit të tyre deri në fund të këtij muaji, ndërkaq ka kërkuar që deri më 11 tetor të paraqesin pyetjet me shkrim për ekspertin e mbrojtësit të viktimave.
Disa çështje janë diskutuar edhe në sesion private.
Fillon paraqitja e provave nga mbrojtja e Pjetër Shalës
Në seancën e mërkurës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtja e tij.
Më 15 shtator, trupi gjykues ka hudhur poshtë mocionin e mbrojtjes së Shalës për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme (pika 4) në aktakuzë, në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DhSK-së, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Andaj, seanca e 20 shtatorit është paraparë për nisjen e paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes.
Paraprakisht, nga ana e gjykatës është duke u diskutuar për çështje procedurale.
Seanca po vazhdon në sesion publik.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.
Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.
Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor dhe e përfundoi më 3 korrik.
Dëshmitari i 10-të me radhë, eksperti William Goodwin ka përfunduar dëshminë e tij më 4 korrik.
Ndërkaq më 21 gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave, kur janë dëgjuar në të njëjtën kohë dëshmitaret 11-të dhe 12-të, konkretisht dy ekspertet mjeko-ligjore Karin Dune-Prinsen dhe Lozano Parra.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.