Barcelona rrit ofertën për Julian Alvarezin, Atletico kërkon 500 milionë euro

Barcelona nuk ka ndërmend të heqë dorë nga transferimi i Julian Alvarez, i cili konsiderohet objektivi kryesor i klubit katalanas për afatin kalimtar të verës.

Sipas “Catalunya Radio”, drejtuesit e Barcelonës po përgatiten ta përmirësojnë ofertën e parë prej 100 milionë eurosh, e cila ishte refuzuar nga Atletico Madridi. Oferta e re pritet të përfshijë edhe bonuse të ndryshme.

Atletico vazhdon ta kundërshtojë shitjen e sulmuesit te një rival i drejtpërdrejtë për titullin dhe këmbëngul te klauzola e tij e lirimit prej 500 milionë eurosh.

Sipas disa raportimeve, klubi madrilen do të preferonte që Alvarez të transferohej tek Arsenali, në rast se do të vendoste ta shiste gjatë verës.

Barcelona e konsideron argjentinasin objektivin kryesor të trajnerit Hansi Flick dhe shpreson që lojtari të shprehë sërish publikisht dëshirën për t’u larguar, duke i shtuar presion Atleticos për ta miratuar transferimin.

Ndërkohë, Federata Spanjolle e Futbollit ka hapur një procedurë informuese pas ankesës së Atleticos, e cila e akuzon Barcelonën për kontakte dhe negociata të paautorizuara me lojtarin.

Megjithatë, drejtuesit katalanas raportohet se mbeten të qetë përballë pretendimeve ligjore dhe po presin rikthimin e Alvarez nga pushimet verore më 10 gusht, me shpresën se më pas do të ketë zhvillime të reja në negociata.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Rritet fronti kundër FIFA-s, edhe Azia kundërshton projektin e Infantinos

Read Next

Policia e Kosovës: 116 aksidente trafiku dhe 2,763 gjoba të shqiptuara në 24 orët e fundit