Rritet fronti kundër FIFA-s, edhe Azia kundërshton projektin e Infantinos

Kundërshtimet ndaj planit të FIFA-s për t’u shitur investitorëve privatë 20 për qind të aksioneve të një kompanie që do të menaxhonte garat kryesore të futbollit botëror po shtohen.

Pas UEFA-s dhe Concacaf-it, edhe Konfederata Aziatike e Futbollit ka dalë kundër projektit të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Në një deklaratë zyrtare, AFC ka bërë të ditur se mbështet qëndrimin e dy konfederatave të tjera, duke shprehur shqetësime serioze për përfshirjen e kapitalit privat në garat më të rëndësishme të FIFA-s.

“AFC qëndron në solidaritet me UEFA-n dhe Concacaf-in në shprehjen e shqetësimeve serioze lidhur me propozimin e FIFA-s për të futur investime private në garat e saj kryesore dhe procesin vendimmarrës rreth FIFA Forward Enterprise”, thuhet në deklaratë.

Plani parashikon krijimin e kompanisë “FIFA Forward Enterprise”, e cila do të administronte aktivitetet kryesore të organizatës, përfshirë Kupën e Botës. Investitorëve privatë do t’u jepej mundësia të blinin një pjesë të aksioneve, ndërsa FIFA pretendon se projekti do të siguronte më shumë të ardhura për zhvillimin e futbollit.

Megjithatë, konfederatat kontinentale e konsiderojnë të papranueshme përfshirjen e kapitalit privat në garën më prestigjioze të futbollit botëror.

UEFA ka paralajmëruar se federatat evropiane mund t’i bojkotojnë Kupën e Botës dhe garat e tjera të FIFA-s, nëse Infantino nuk tërhiqet nga projekti.

Me bashkimin e AFC-së në frontin kundërshtues, presioni ndaj drejtuesit të FIFA-s është rritur ndjeshëm, ndërsa përplasja mes palëve pritet të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Moment historik në Toronto: Kryetari i bashkisë dhe të 25 këshilltarët mbajnë Lulen e Srebrenicës

Read Next

Barcelona rrit ofertën për Julian Alvarezin, Atletico kërkon 500 milionë euro