Barazimi Lecces ndaj Parmës, Ylber Ramadani kundërshton trajnerin Gotti

Një fitore që u shpëtoi nga duart në kohën shtesë dhe një rast që do të shqyrtohet këtë javë. Lecce po “lëpin plagët” pas barazimit 2-2 ndaj Parmës, të arritur të shtunën mbrëma, që erdhi pikërisht në minutat shtesë, pas një sërë mundësish të pashfrytëzuara, të cilat peshojnë rëndë.

Polemikat u shtuan edhe për shkak të disa reagimeve të lojtarëve të Lecces, si ai i mesfushorit Ylber Ramadani, i kapur nga kamerat e “Dazn” dhe “Sky” pas zëvendësimit, duke shfryrë ndaj trajnerit të tij. Zëvendësimi nuk u pranua lehtë nga mesfushori kuqezi. Sipas medias italiane, futbollisti shqiptar kishte kundërshtuar trajnerin Luca Gotti, madje duke e ofenduar në momentin e daljes nga fusha.

Por si u paraqit Ramadani ndaj Parmës? Ky është raporti i “Pianetalecce” për mesfushorin shqiptar, i cili u zëvendësua në pjesën e dytë nga trajneri i Lecces, Luca Gotti:

“Nota e vlerësimit: 6.5. Një pjesë e parë në kontroll të mesfushës, me ‘qershinë mbi tortë’ që ishte asistimi për Dorgun, i cili shënoi për 1-0. Në pjesën e dytë tregoi qëndresë, pasi duhej të vuante në fushë. Ndeshja e Ramadanit ndaj Parmës nuk duhet të mbahet mend vetëm për momentin e tensionit me trajnerin Luca Gotti.”

Futbollisti shqiptar nxori në pah një fakt të rëndësishëm: për Ylber Ramadanin kjo ishte hera e dytë që kontribuonte me një asist në Serie A (asisti për golin e Dorgut), pas golit të shënuar ndaj Frosinones më 16 dhjetor 2023. /Telesport.al/

Read Previous

“Dhjetëra mijëra” janë larguar nga Libani jugor mes sulmeve izraelite, thotë OKB

Read Next

Bombarduesit rusë me aftësi bërthamore fluturojnë afër brigjeve të Alaskës