Pas reshjeve të shumta të shiut që janë duke vazhduar në gjithë vendin, disa zona të Komunës së Gjakovës janë përballur me vërshime. Kjo është situata në lagjen Duraku në fshatin Damjan ku për shkak të rritjes së nivelit të ujit të lumit që kalon këtu banorët kanë mbetur të bllokuar. Ata po e kanë të pamundur të kalojnë në anën tjetër të rrugës sepse lumi ka dal nga shtrati dhe niveli i ujit u është afruar edhe shtëpive. Ardenit Duraku banor i kësaj lagjeje tha se kërkesa kryesore e tyre është ndërtimi i një ure këtu pasi që tani që kanë filluar reshjet e shumta jeta e tyre po rrezikohet çdo ditë.
Ai tha se nuk e di se kush është përfaqësues i fshatit e problemet e tyre nuk po ka kush t’i adresojë, pasi që disa nga lagjet e fshatit sipas tij kanë përfituar nga investimet e komunës së Gjakovës por lagjja e tyre ka mbetur pas dore.
Nga situata e krijuar në këtë lagje ajo që mund të thuhet është se nëse reshjet vazhdojnë me këtë intensitet çdo gjë do të bëhet edhe më e vështirë për banorët e këtushëm, pasi që rrezikon të dëmtohet edhe rrjeti elektrik.