Banka Qendrore Evropiane pritet t’i rrisë sërish normat e interesit për shkak të presioneve inflacioniste

Banka Qendrore Evropiane (ECB) po përgatitet për rritjen e dytë të normave të interesit këtë vit, mes presioneve inflacioniste të shkaktuara kryesisht nga çmimet e energjisë ndërsa vëmendja është përqendruar te parashikimet e bankës dhe deklaratat e ardhshme të presidentes së saj, Christine Lagarde.

Çmimet e naftës arritën sërish në 100 dollarë për fuçi për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, ndërsa çmimet e gazit natyror në Evropë u rritën mbi nivelet e vitit 2023. Inflacioni vjetor në Eurozonë u rrit në 3,3 për qind në muajin gusht, niveli më i lartë në tre vitet e fundit, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve të energjisë.

Peter Vanden Houte, krye-ekonomist në ING Group, tha për Anadolu se banka pritet ta rrisë normën e depozitave me 25 pikë bazë, në 2,5 për qind, për shkak të qëndrueshmërisë së ekonomisë së eurozonës dhe faktit se çmimet e larta të energjisë e kanë shtyrë inflacionin sërish mbi 3 për qind.

Houte tha se inflacioni bazë dhe ai i shërbimeve ende nuk kanë dhënë sinjale për shqetësime më të gjera, pasi presionet aktuale vazhdojnë të nxiten kryesisht nga energjia, gjë që mund ta pengojë ECB-në të mbajë një qëndrim tepër agresiv në konferencën e saj të ardhshme.

“Presim që parashikimet e reja të ECB-së të përmbajnë vetëm rishikime të moderuara në rritje të parashikimeve për rritjen ekonomike dhe inflacionin. Megjithëse tregjet financiare po parashikojnë rritje të tjera të normave të interesit më vonë gjatë këtij viti, ne jemi disi më të kujdesshëm”, tha ai.

Houte theksoi se banka mund të mbajë një qëndrim pritës pas rritjes së normave këtë muaj. “Vetëm nëse konflikti në Lindjen e Mesme zgjatet, duke i shtyrë potencialisht çmimet e energjisë edhe më lart, ECB-ja mund të shqyrtojë një tjetër rritje të normave në dhjetor”, shtoi ai.

Bill Diviney, drejtues i kërkimeve makroekonomike dhe ekonomist i lartë për eurozonën në ABN AMRO, tha për Anadolu se parashikimet e përditësuara makroekonomike të bankës dhe deklaratat e Lagarde do të tërheqin vëmendjen e tregjeve, pasi parashikimi i ECB-së për inflacionin në vitin 2027 pritet të rishikohet në rritje.

“Lagarde me sa duket do të përballet me pyetje mbi mundësinë e hapave të ardhshëm, duke qenë se tregjet po parashikojnë pothuajse dy rritje të tjera pas asaj të shtatorit, por megjithëse presim retorikë më të ashpër lidhur me inflacionin, ajo me sa duket do të ritheksojë qasjen e ECB-së për marrjen e vendimeve nga një mbledhje në tjetrën”, tha Diviney.

Alain Durree, drejtues i kërkimeve makroekonomike evropiane në “Natixis” tha se Lagarde mund të mbajë një ton neutral në të ardhmen e afërt për t’i mbajtur të gjitha opsionet të hapura, duke shmangur njëkohësisht sinjalizimin e një cikli të zgjatur të rritjes së normave të interesit.

Durree theksoi se ECB-ja nuk do t’i ndërpresë rritjet e normave të interesit deri në fund të vitit 2027.

“Së pari, zgjidhja e konflikteve në Lindjen e Mesme deri në fillim të janarit duhet të lehtësojë presionin mbi çmimet e energjisë. Së dyti, dobësimi i kushteve në tregun e punës deri atëherë do të kufizojë rrezikun e efekteve të raundit të dytë”, tha ai.

“Së treti, forcimi i parashikuar i euros do të zbusë më tej si inflacionin e përgjithshëm, ashtu edhe atë bazë”, shtoi ai, duke theksuar se këta tre faktorë kryesor mund të mbështesin mundësinë që banka të vazhdojë rritjen e normave të interesit, pavarësisht ekuilibrit kompleks ekonomik pas shtatorit.

Marco Wagner, ekonomist i lartë në “Commerzbank” tha për Anadolu se drejtimi që do të ndjekë banka pas rritjes së normave këtë muaj është “më pak i sigurt”.

“Investitorët në tregjet e kontratave të së ardhmes presin edhe dy rritje të normave deri në mesin e vitit të ardhshëm. Megjithatë, ne e konsiderojmë më të mundshme që normat bazë të interesit të mbeten të pandryshuara në muajt e ardhshëm”, tha ai. /Anadolu Agency/

Read Previous

Lutfi Dalipi, lojtari më i mirë i xhiros së shtatë në Superligën e Zvicrës

Read Next

Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”