Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, me 3 vjet e 8 muaj burgim në rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Rasti lidhet me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Në këtë proces gjyqësor akuzohen edhe Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Çështja ishte kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e parë.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka deklaruar se mirëpret aktgjykimin fajësues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, edhe në rigjykim në rastin e njohur si “53-milionëshi”, ndaj të pandehurëve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në një deklarim zyrtar, PSRK-ja thotë se ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit garantimin e ndëshkueshmërisë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke dëshmuar se keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe i parasë publike duhet të ketë përgjegjësi ligjore.

“Prokuroria Speciale riafirmon përkushtimin në luftën kundër korrupsionit, si dhe ndjekjen penale të të gjithë kryerësve të mundshëm” thuhet në reagim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar  i përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i prokurimit publik në MI, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”. /IndeksOnline/

Read Previous

Banka Qendrore Evropiane pritet t’i rrisë sërish normat e interesit për shkak të presioneve inflacioniste

Read Next

SHBA-ja ndalon importin e disa produkteve kanadeze të qumështit, alkoolit dhe automjeteve