Banka e Shqipërisë rrit në 300 milionë euro shumën e parashikuar për të blerë në treg

Banka e Shqipërisë ka rritur në 300 milionë euro shumën e parashikuar për të blerë në tregun e këmbimit valutor. Blerjet e parashikuara të valutës nga Banka Qendrore ishin parashikuar në nivelin maksimal të 220 milionë eurove, por rënia e fortë e euros ka detyruar institucionin që harton politikën monetare të zgjerojë me 80 milionë euro blerjet. Nisur nga e premtja, Banka Qendrore planifikon të tërheqë 5 deri në 9 milionë euro nga tregu valutor, për të vijuar ankandet më 18 gusht, 22 shtator, 18 tetor, 6 dhe 20 dhjetor.

“Ajo që për mua mbetet e paqartë lidhet me kushtet se kur Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë. Në konferencën për shtyp të dy ditëve më parë nuk u tha qartë se cila do të ishte varianca në tregun e këmbimit valutor që banka të ndërhynte. Deklarimet ishin shumë të mjegullta”, tha Evarist Stoja, pedagog në Universitetin e Bristol në Londër.

Zgjerimi i shumës së parashikuar për të blerë në tregun e këmbimit nga Banka e Shqipërisë vjen në një kohë që rezerva valutore në vend ka rritur në nivelin rekord të gati 5.6 miliardë eurove. Në kushtet e një ekonomie me aftësi të ulëta absorbuese, rezerva e lartë valutore mund të kthehet në pengesë për Bankën e Shqipërisë për të ndërhyrë te kursi i këmbimit.

“Është e lartë. Ka rreziqe. Por ka edhe mënyra për të mitiguar këto rreziqe. Një ndër to është ai i blerjes së instrumenteve financiare për të amortizuar rreziqet e kursit të këmbimit”, shtoi Stoja.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se deri më tani nga tregu i këmbimit valutor janë tërhequr 170 milionë euro, 30 milionë më tepër se sa blerjet e gjithë vitit të shkuar.

Ndërkohë në krahasim me qershorin e një viti më parë, rezerva valutore në vend është zgjeruar me 640 milionë euro, kjo edhe si pasojë e eurobondit të fundit të marrë nga qeveria.//a2news.com/

Read Previous

Parashihet fundjavë me shi në Gjakovë

Read Next

Obama paralajmëron Biden: Trump është i fortë, mos e nënvlerëso