Grekët u zgjuan sot në një ditë tjetër që ngjante me ferrin në Tokë në disa zona, ndërsa zjarret e egra vazhduan të zgjeroheshin në të gjithë vendin.
“Ne jemi vetëm. Fundi ynë është afër”, tha Giannis Kotzias, kryebashkiak i qytetit të rrezikuar të Istiaias, për transmetuesin grek ”Skai”.
Qyteti port është në veri të Euboea, ishulli i dytë më i madh i Greqisë, i cili ka qenë vendi i disa prej zjarreve më të rrezikshëm këtë sezon.
Temperaturat po rriten gjithashtu në ishull.
Shumë ankohen se janë lënë në fatin e tyre duke luftuar me flakët që shtriheshin në kilometra të shumtë katrore dhe ndonjëherë u shndërruan në mure flakësh që shtriheshin deri në shtatë kilometra.
“Ata na lanë të digjemi”, i tha një burrë ”Skai”-t duke vënë në dukje sesi flota e avionëve të zjarrfikësve të vendit ishte përqendruar vetëm në zonën përreth Athinës.
Por, zyrtarët mbrojtën veprimet e tyre, duke cituar mundësitë e kufizuara.
“Ne nuk mund të ishim kudo. Thjesht duhet të imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse zjarret në veri të Athinës do të ishin zgjeruar në një zonë të dendur me pemë”, tha një zjarrfikës.
Ka raporte se situata po stabilizohet sot në veri të Athinës, me ekipet e zjarrit që raportuan se ata ishin në gjendje të shuanin disa zjarre më të vegjël, sipas një zyrtari në komentet për transmetuesin shtetëror.
Ekipet që vëzhguan situatën në veri të Greqisë thanë se kishin numëruar rreth 300 shtëpi dhe ndërtesa industriale të shkatërruara nga flakët dhe thanë se do të duheshin rreth 15 ditë për të rikthyer energjinë në rajon.
Shërbimi i ujësjellësit ende nuk është restauruar plotësisht.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka thënë disa herë ditët e fundit se përparësia është shpëtimi i jetëve, jo prona apo pyje.
Euboea ka një popullsi prej rreth 220 000 dhe zona më e rrezikuar nga flakët pasi ka vegjetacion të dendur.
Thënë kjo, mijëra njerëz janë evakuuar nga ishulli.
Tragetet ishin përsëri aktivë sot duke marrë njerëz nga bregu sepse nuk ishte më e sigurt që të ecje në rrugë.
Situata ishte pak më e mirë në Gadishullin e Peloponezit, ku një zjarr po digjet në jug të qytetit të Megalopolis dhe një tjetër në pjesën perëndimore të gadishullit dhe po lëviz gjithnjë në brendësi të zonës me pyje të dendura të Arkadisë, pranë Olimpias.
Kryebashkiaku rajonal po kërkon më shumë mbështetje ajrore për të luftuar zjarret dhe gjithashtu ka kritikuar vendimet për të mbajtur avionët zjarrfikës pranë Athinës deri më tani, duke lejuar kështu që zjarret të digjen jashtë kontrollit në pjesë të tjera të vendit.
Zjarret kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe kanë tërhequr ekipe të ndihmës për shuarjen e zjarrit nga e gjithë Evropa dhe Lindja e Mesme.