Biden shpall gjendjen e katastrofës natyrore në Kentaki
Këto janë pasojat katastrofike që lanë pas një seri tornadosh që goditën 6 shtete federale amerikane gjatë të shtunës. Autoritetet zyrtarizuan këtë të dielë se kanë gjetur deri më tani trupat e 83 viktimave nën rrënojat e banesave të shkatërruara nga vorbullat e ajrit.
Shifrat e viktimave mund të jenë mbi 100, pasi sipas zyrtarëve mbeten ende shumë banorë të cilët janë listuar si të zhdukur. Presidenti amerikan Joe Biden shpalli gjendjen e katastrofës natyrore në Kentaki, shtetin federal më të goditur e ku numërohen shumica e viktimave të bilancit të përgjithshëm, të paktën 70 prej tyre.
Viktima dhe dëme të konsiderueshme ka edhe në Tenesi, Arkansas, Misuri, Missisipi e Illinois. Dhjetëra mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë dhe janë dërguar në qendra emergjence. Mes ndërtesave të shkatërruara janë edhe disa magazina të gjigandit Amazon në Illinois.
Autoritetet thonë se një stuhi e fuqishme ishte shkak i formimit të të paktën 30 tornadove gjatë orëve të fundit. Ekspertët e konsiderojnë këtë si goditjen më të rëndë nga tornadot në histori në këto zona dhe këtë e lidhin edhe me ngrohjen globale.