Arrestohet burri pasi rrahu bashkëshorten por Prokurori e liron

Një rast i dhunës ka ndodhur në fshatin Carravik të Klinës, ku një burrë dyshohet se e ka sulmuar gruan e tij, por është liruar nga Prokuroria.

Burimet jozyrtare kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga viktima, e cila e ka raportuar burrin, për dhunën që ka ushtruar ndaj saj.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre, që eskaloi nga dhuna psikike në dhunë fizike. Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari e ka goditur disa herë me grushte, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Ndaj burrit që po dyshohet për dhunë në familje, Prokurori nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe lirimin e tij për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave lirohen nuk janë të rralla dhe shpesh ka ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese, që është kthyer në tragjedi për shumë familje./Sinjali/

Read Previous

Gjashtë vjet nga vdekja e veprimtarit Jonuz Musliu

Read Next

Shpërthimi i acidit sulfurik në Trepçë, flet minatori