Arrestohen dy serbë në veri – policia u gjeti dhe konfiskoi armë, flamuj serb e emblema nacionaliste

Policia e Kosovës (PK), ka njoftuar se mbrëmë gjatë natës, në veri të vendit ka ndaluar një automjet (me targa të Sllovenisë), me të cilin ishin duke qarkulluar dy persona meshkuj serbë, shtetas të Serbisë.

Dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, pasi gjatë kontrollit të automjetit që drejtonin janë gjetur dhe janë konfiskuar disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione etj.

“Dëshmitë e konfiskuara në cilësi të provave materiale, të cilat dyshohet se mund të përdoren për veprime të dhunshme janë: një (1) shufër metalike (policore), një (1) maskë kamuflazhi, disa thika, disa emblema me simbole nacionaliste (4 S) dhe flamur serb (4 S), disa lloje të dyshuara të substancave narkotike, telefona celularë, sprej të ndryshëm, sfera metalike, lidhëse plastike, një (1) automjet, një (1) kartelë e veteranëve të luftës së Serbisë, dhe një (1) kartelë të akademisë për siguri e Serbisë. një (1) çekan etj”, ka njoftuar policia.

Pas intervistimit, ndaj dy personave të dyshuar, me vendim të prokurorit kompetent, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Policia e Kosovës ka shtuar se do të vazhdojë të mbajë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, si dhe do të ndërmarrë masa ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.

/Telegrafi/

Read Previous

Lajçak për tensionet në veri: Nëse s’ka kthim në normalitet të dyja palët humbasin

Read Next

Rashica flet pasi fitoi titullin e kampionit në Turqi: Jemi kampion me shumë meritë