Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja është rikthyer në stërvitje me skuadrën e tij, Chelsea, duke lënë pas krahëve një dëmtim të rëndë të pësuar disa muaj më parë në një ndeshje miqësore kundër Aston Villa-s.
Qendërsulmuesi tashmë është rikthyer dhe duket se do të jetë në planet e trajnerit të ri të Chelsea-t, Mauricio Pochettino për sezonin e ri 2023-24.
“Është mirë të jesh sërish mes djemve, mes grupit. E dini, ka kaluar një kohë e gjatë. Nuk ishte gjëja më e lehtë, të rrije vetëm. Por jam i lumtur që jam kthyer me djemtë dhe po kënaqem”, thotë Broja për mediat sociale të bluve.
Në fakt, Broja ka dal në stërvitje më herët në kohë se pjesa tjetër e grupit, të cilët përfunduan sezonin e rregullt. Megjithatë, kjo duket se ka shërbyer për sulmuesin kuqezi, pasi ai shprehet se i dha “forcën shtesë që kërkohej për t’u rikthyer”.
“Kështu që jam shumë i lumtur dhe falënderues për këtë. Mund të isha kthyer më herët për t’u përgatitur dhe gati për parasezon”, thekson Armando.
Brojën e pret një sezon i madh, nëse gjërat shkojnë siç ai i ka parashikuar. Një sezon ku do të ketë konkurencë, por edhe shanset e tij për të luftuar dhe luajtur.
“Doja të bëhesha gati, isha jashtë, kishte pak kohë. Nuk është gjithmonë e lehtë kur ke, e di, lëndime dhe gjëra të tilla. Kështu që për mua jam shumë i lumtur dhe mirënjohës që jam rikthyer tani dhe po, është një sezon i madh, gjithashtu një parasezon i madh”, thotë Broja.
“Kështu që unë thjesht dua ta kthej veten në gjendjen më të mirë fizike dhe në formën optimale”, përfundoi Armando Broja, ylli i Chelsea-t dhe Shqipërisë. /Albanianpost.com