Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dje ka shkarkuar drejtorin e Zhvillimit Ekonomik Ferdinand Kolaj si dhe atë për punë Inspektuese Fazli Hoxha, me arsyetimin që këta të dy kanë shpallur kandidaturën për kryetar komuna njëri nga PSHDK dhe tjetri nga Nisma Socialdemokrate.
Sipas zyrës së informimit në komunën e Gjakovës, Gjini ka autorizuar nënkryetarin e komunës Flamur Fetahaj që të ushtrojë pozitën e drejtorit për të dyja këto drejtori, deri në përfundim të mandatit. Ndryshe dje kryetari Gjini ka theksuar se drejtorët e lartpërmendur nuk janë shkarkuar për shkak të performancës së dobët por vetëm për faktin se nuk ka arsye logjike që ata të vazhdojnë detyrën teksa janë në garë për të parin e komunës.
Reagim të ashpër ka pasur nga ish drejtori i Inspektoratit Fazli Hoxha i cili ndër të tjera ka deklaruar se ndalja e ndërtimeve pa leje gjatë kohës sa ai ka qenë drejtor për punë inspektuese ka ndikuar në vendimin për shkarkim.