Pas 10 ndeshje në kampionatin belg, Arbnor Muja më në fund ka debutuar me ekipin e tij, Royal Antwerp.
Ish-futbollisti i Dritës pati minutat e parë me ekipin belg, që prej se u transferua nga Drita për shifrën e 400 mijë eurove.
Shkaku i lëndimit ai nuk kishte luajtur deri më tani, derisa u inkuadrua në lojë në ndeshjen e sotme (e diele), që skuadra e tij pësoi humbje me rezultat 2:1 nga Kortrijk.
Arbnori u fut në lojë në minutën e 44-të derisa ekipi i tij humbiste 2:0, por ai nuk arriti të lërë gjurmë në këtë takim.
Krejt çka bëri ekipi i tij në këtë ndeshje, ishte goli i shënuar në minutën e fundit të kohës shtesë, ku nga penalltia realizoi Vincent Janssen.
Pavarësisht humbjes, Antwerp vazhdon të kryesojë në Superligën e Belgjikës me 27 pikë, dy më shumë se Genk i vendit të dytë.
Kujtojmë që Muja është transferimi më i shtrenjtë në historinë e Superligës së Kosovës.
Ai u ble nga belgët pas ndeshjeve të mira që tregoi pikërisht kundër Antwerp-it me fanellën e Dritës në kualifikimet e Ligës së Konferencës. /Albanianpost.com