Anulohet marrëveshja e pranimit të fajësisë me komplotistët e akuzuar të 11 shtatorit

The second tower of the World Trade Center bursts into flames after being hit by a hijacked airplane, September 11, 2001. REUTERS/Sara K. Schwittek

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka anuluar një marrëveshje paragjyqësore të arritur me personat e akuzuar për komplotimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Në një memo të premten, Austin tha gjithashtu se ai po revokonte autoritetin e oficerit që mbikëqyr gjykatën ushtarake që nënshkroi marrëveshjen të mërkurën.

Marrëveshja origjinale, e cila thuhet se do t’i kishte kursyer sulmuesit e dyshuar nga dënimi me vdekje, u kritikua nga disa familje të viktimave.

Memorandumi përmendte pesë të pandehur, duke përfshirë kreun e dyshuar të komplotit, Khalid Sheikh Mohammed, të cilët të gjithë mbahen në Gjirin e Guantanamos.

Marrëveshja origjinale përmendte tre burra.

“Kam vendosur që, në dritën e rëndësisë së vendimit për të hyrë në marrëveshje paragjyqësore me të akuzuarin… përgjegjësia për një vendim të tillë duhet të jetë tek unë si autoriteti epror”, i shkroi Austin gjeneral brig Susan Escallier.

“Unë tërhiqem nga tre marrëveshjet paragjyqësore”.

Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se nuk kishte luajtur asnjë rol në marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Pesë burrat e përmendur në memorandum ishin: Khalid Sheikh Mohammed, i referuar shpesh si KSM, Walid Muhammad Salih Mubarak bin Atash, Mustafa Ahmed Adam al-Hawsawi; dhe dy të tjerë që nuk përmenden në kërkesën fillestare: Ramzi bin al-Shibh dhe Ali Abdul Aziz Ali.

Burrat kanë qenë në paraburgim për dekada pa gjyq. Të gjithë kanë pretenduar se janë torturuar – KSM iu nënshtrua mbytjes së simuluar, të ashtuquajturit “waterboarding”, 183 herë përpara se të ndalohej nga qeveria amerikane.

Të gjithë tashmë janë përballur me më shumë se një dekadë seancash paragjyqësore, të ndërlikuara nga akuzat dhe provat e torturës ndaj tyre.

Disa anëtarë të familjeve të viktimave kishin kritikuar kushtet e marrëveshjes së arritur të mërkurën si shumë të buta.

Brett Eagleson, presidenti i 9/11 Justice, i cili përfaqëson të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave, i ka thënë BBC-së në fillim të kësaj jave se familjet ishin “thellësisht të shqetësuara nga këto marrëveshje për pranimin e fajësisë”.

Terry Strada, e cila humbi bashkëshortin e saj Tom, i tha programit të BBC-së Today: “Ishte një goditje e fortë kur dëgjova se kishte një marrëveshje për pranimin e fajësisë sot që po u jepte të burgosurve në Gjirin e Guantanamos atë që ata dëshironin.

Një avokat në Guantanamo që përfaqëson  Mohammed tha për New York Times se ai ishte i tronditur nga kthesa e papritur.

Burrat janë akuzuar për një sërë akuzash, duke përfshirë sulmin ndaj civilëve, vrasje në kundërshtim me ligjet e luftës, rrëmbim avioni dhe terrorizëm.

Në shtator, administrata Biden thuhet se hodhi poshtë kushtet e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me pesë burra të mbajtur në bazën e marinës amerikane në Kubë, përfshirë Mohammedin. /Albanianpost.com

Read Previous

MPJ-ja maqedonase shpreh keqardhje për incidentin e Osmanit në aeroport

Read Next

Donald Trump e pranon ofertën e Fox News për debat presidencial me Kamala Harris