Anglia goditet nga stuhia “Henk” me vërshime e erë të fuqishme

Më shumë se 300 paralajmërime për vërshime janë në fuqi në pjesë të ndryshme të Anglisë, përderisa udhëtarët po ballafaqohen me vonesa. Shërbimet e trenave po kanë vështirësi për t’iu kthyer normalitetit pas shiut e erës së fuqishme në pjesë të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar si pjesë e stuhisë “Henk”.

Agjencia e Mjedisit tha të mërkurën se në Angli janë në fuqi 368 paralajmërime për vërshime të mundshme, 322 paralajmërime për vërshime, që do të thotë se priten vërshime. Në Northampton, autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim për vërshime të rënda, që mund të jenë rrezik për jetën, raporton gazeta “The Guardian”.

Kompania e hekurudhave, “Great Western Railway”, tha se vërshimet kishin bllokuar disa pjesë të rrjetit të saj. Vërshimet afër Chipping Sodbury-t, në Gloucestershire, e shkaktuan mbylljen e të gjitha linjave mes Swisdon-it e Britsol Parkway-t.

Kompania “Greater Anglia” tha se shërbimet e trenave po ballafaqoheshin me pengesa të mëdha në orët e vona të së martës, pasi disa incidente i kishin prekur shërbimet në rrjetin e saj.

Autoritetet për shpëtim e kundër zjarrit në Lincolnshire thanë se kishin pranuar 140 telefonata të ndërlidhura me vërshimet gjatë 24 orëve të kaluara, shumica prej të cilave erdhën nga pjesa jugore e vendit.

Policia në Leicestershire tha se një numër i madh i shtëpive ishin prekur nga vërshimet në Loughborough. Autoritetet e mbyllën rrugën “Belton”.

Në shumicën e paralajmërimeve për vërshime përfshihet pjesa qendrore e Anglisë, qytetet BirminghamLeicester dhe Northampton.

/nacionale/

Read Previous

I ftohti ekstrem në Suedi dhe Finlandë, temperaturat bien në minus 40 gradë

Read Next

Në takimin e parë për këtë vit, Kurti pret ambasadorin turk në Kosovë – ai e uron për liberalizimin e vizave