Miliona turistë të huaj që vizitojnë muzetë më të njohur në Angli mund të duhet të paguajnë tarifë hyrjeje, sipas propozimeve të paraqitura të enjten nga sekretarja britanike e Kulturës, Lisa Nandy.
Nisma synon të ndryshojë modelin aktual të financimit, ku shumë prej muzeve kombëtare ofrojnë hyrje falas për publikun. Sipas drejtuesve të institucioneve kulturore, sistemi ekzistues nuk është më i qëndrueshëm financiarisht, për shkak të rritjes së kostove dhe kufizimeve buxhetore.
Një drejtues i një muzeu të madh në Londër e cilësoi propozimin si “shumë të arsyeshëm”, duke theksuar se modeli aktual “nuk funksionon më”, pasi mbështetja nga qeveria nuk mjafton për të përballuar shpenzimet në rritje.
Sipas planit, vizitorët britanikë do të vazhdojnë të kenë akses falas ose me tarifa të reduktuara, ndërsa turistët e huaj do të paguajnë për hyrjen në disa nga institucionet më të frekuentuara, si pjesë e një përpjekjeje për të siguruar burime shtesë financimi.
Propozimi pritet të ndezë debat, pasi muzetë falas konsiderohen prej kohësh një shtyllë e rëndësishme e aksesit publik në kulturë në Mbretërinë e Bashkuar. /ATSH/