Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka ngritur shqetësime për gjendjen dhe zhvillimin e sportit në Kosovë, duke vlerësuar se vendi nuk ka shënuar përparimin e pritur që nga pjesëmarrja e parë në Lojërat Olimpike.
Në një postim në Facebook, Kuka ka shprehur skepticizëm për numrin e sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, duke parashikuar se shumica dërrmuese e tyre mund të vijnë nga xhudoja.
Sipas tij, Kosova mund të kualifikojë vetëm tre ose katër xhudistë dhe një boksier, ndërsa numri i sportistëve të ndërtuar në vend mund të jetë edhe më i vogël sesa në Paris 2024.
Kuka ka bërë dallimin mes suksesit të sportistëve të zhvilluar në Kosovë dhe natyralizimeve, duke theksuar se këto të fundit nuk i konsideron rezultat të punës së federatave, Komitetit Olimpik të Kosovës apo Ministrisë.
Ai ka kritikuar gjithashtu orientimin e institucioneve sportive, duke thënë se prioritet duhet të jenë rezultatet në gara dhe zhvillimi i sportistëve, e jo organizimi i garave.
Në fund, trajneri i njohur ka kërkuar krijimin sa më të shpejtë të një ekipi njerëzish me integritet, i cili do të hartonte një strategji për zhvillimin e sportit në Kosovë. /KosovaPress/