Përcaktohen çiftet çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll
Janë përcaktuar çiftet çerekfinaliste të Kupës së Kosovës në basketboll për edicionin 2026/2027, ku tetë skuadra do të luftojnë për katër vende në gjysmëfinale.
Përballja më interesante e kësaj faze pritet të jetë ajo ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës, dy skuadrave me traditë dhe pretendime të larta në basketbollin kosovar.
Në çiftet e tjera, Bashkimi do të përballet me Vëllaznimin, Golden Eagle Ylli me Borën, ndërsa Rahoveci 029 do të ketë përballë Pejën.
Ndeshjet e para çerekfinale do të zhvillohen më 13 dhe 14 janar 2027, kurse ato të kthimit më 20 dhe 21 janar.
Edhe gjysmëfinalet do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje. Në njërën gjysmëfinale do të takohen fituesit e çifteve Bashkimi – Vëllaznimi dhe Rahoveci 029 – Peja, ndërsa në tjetrën fituesit e çifteve Golden Eagle Ylli – Bora dhe Sigal Prishtina – Trepça.
Ndryshe, finalja e Kupës së Kosovës do të zhvillohet me vetëm një ndeshje, ku do të përcaktohet fituesi i trofeut.
Çiftet çerekfinale:
- Bashkimi – Vëllaznimi
- Golden Eagle Ylli – Bora
- Sigal Prishtina – Trepça
- Rahoveci 029 – Peja
/KosovaPress/