Ambasadori Rohde: I shqetësuar me vonesat në formimin e institucioneve

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha të mërkurën se shqetësimin e tij lidhur me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë ia ka shprehur presidentes Vjosa Osmani.

Në një postim në rrjetin social Bluesky, ambasadori gjerman tha se veprimi i shpejtë është i domosdoshëm.

“Punët shtetërore duhet të jenë gjithmonë përpara politikës partiake”.

Deri më tash janë bërë tetë tentime të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Pas betimit të deputetëve, procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje – partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – e ka propozuar gjashtë herë me radhë Albulena Haxhiun.

Por, për partitë që deri më tash ishin në opozitë, ky emër është i papranueshëm.

“Në takimin tim me presidenten Osmani, shpreha shqetësimin tim në rritje për vonesat në finalizimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe formimin e qeverisë paszgjedhore. Në peizazhin e sotëm global që ndryshon me shpejtësi, veprimi i shpejtë është i domosdoshëm – punët shtetërore duhet të jenë gjithmonë përpara politikës partiake”, shkroi Rohde.

Të enjten më 1 maj, deputetët do të mblidhen sërish në një tentim të radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë. /KosovaPress

Read Previous

KRM “Çabrati” përfiton donacion me pajisje për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra

Read Next

Me homazhe nderimi varroset gastronomi Suad Muhaxhiri