Ambasadori Dugolli takohet me kongresistin amerikan Crow, flasin për mbështetjen e SHBA-së për dialogun

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Ilir Dugolli, është takuar me kongresistin amerikan, Jason Crow, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë, por edhe për dialogun me Serbinë.

Përmes një postimi në platformën X, Dugolli ka thënë se kongresistin amerikan ka pasur një bisedë produktive mbi një gamë të gjerë temash që kanë të bëjnë me marrëdhëniet Kosovë-ShBA.

“Veçanërisht mirënjohës për mikpritjen e tij dhe mundësinë për t’u përfshirë në një diskutim të plotë mbi nevojën për të shmangur bashkërisht ndikimet malinje në Ballkanin Perëndimor”, shkroi ai.

Nga ana tjetër, Crow-n ka thënë – po në X – se në takimin me diplomatin kosovar ka diskutuar për mbështetjen e ShBA-së sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“U takova me ambasadorin e Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, për të diskutuar zhvillimet rajonale, bashkëpunimin e vazhdueshëm të sigurisë dhe mbështetjen e SHBA-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Crow.

Ndërsa, ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë të enjten se ngjarje te dhunshme në Veri të Kosovës, pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, shteti që ai përfaqëson nuk do të lejojë që të përsëriten.

Këto komente, O’Brien i bëri gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë, ku u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në Veri të vendit.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme, veçmas pas ngjarjeve në shtatorin e kaluar, ku një grup tentoi të importonte një numër të madh të armëve që do të mund të shkaktonin dhunë të madhe, nëse do të lejoheshin të çonin në fund planet e tyre, kjo është diçka që të dyja palët duhet ta kuptojnë se ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë sërish”, tha ai.

Top-diplomati amerikan ka theksuar se Ballkani Perëndimor “duhet të jetë evropian, stabil dhe i sigurt, mbi të gjitha ky rajon ka nevojë për integrim ekonomik”.

Sipas tij, kjo është çështje kyçe për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut), pasi, siç potencon ai, popullsia e këtyre vendeve po largohet për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë ka ritheksuar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket mbështetjes së procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. /Albanianpost.com/REL/

Read Previous

Dy persona raportohen të zhdukur, policia jep detajet e fundit

Read Next

Britania do të rrisë financimin ushtarak për Ukrainën