Ambasadat e Quint-it kërkojnë pezullimin e rregullores së fundit të BQK-së – çështja të diskutohet në dialog

Ambasadat e vendeve të Quint-it e kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës më 28 janar 2024 përmes së cilës euroja parashihet si monedha e vetme për kryerjen e transaksioneve.

Ambasadat kanë theksuar se rregullorja do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia.

Tutje, këto ambasada kanë kërkuar që kjo çështje të diskutohet në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara theksojnë se rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës (BKK) për operacionet me para të gatshme, e cila synon të reduktojë paratë e falsifikuara, të ruajë stabilitetin financiar, si dhe të rrisë transparencën e flukseve të parasë në Kosovë, megjithatë ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”, thuhet në deklaratë.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, kanë shkruar Ambasadat.

“Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, Quint kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së”, janë shprehur Ambasadat.

/klankosova/

Read Previous

Xhaferi nga foltorja e Kuvendit: Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë

Read Next

Xhaferi: Qeveria ime do të jetë krah dhe zë i qytetarëve