Alpinistja Flutura Ibrahimi, e njohur si Uta Ibrahimi, pas shumë përpjekjesh arriti të ngjitet me sukses në Annapurna në Himalaje.
37-vjeçarja nga Gjilani, e cila mbështetet nga familja Begeja dhe trajnohet nga alpinisti i njohur shqiptar, Xhimi Begeja, “mposhti” Annapurna-n (8090 metra lartësi) dhe kthehet krenare nga misioni i saj.
Lajmin e ka dhënë Xhimi Begeja, i cili në një status në “Facebook” shkruan: “Nuk më takon mua për këtë lajm të bukur, por prindërve dhe familjes Ibrahimi, që kanë një Utë që bën krenar një Komb.
Annapurna 8091m mposhtet. Në këto momente (Uta) është në majë dhe po zbret.
Anapurna 8091m, nga sot është dhe nën këmbët e Utës së Maleve, si e para alpiniste shqiptare që e mposht atë.
Natën e dt 15 prill në orën 22:00 me orën tonë, një grup alpinistësh nga vende të ndryshme në një ekip internacional, nisën mes një moti tepër të vështirë dhe të fortë për të synuar ngjitjen e Annapurnës, i cili vlerësohet si mali me riskun më të lartë për humbjen e jetëve të alpinistëve për shkak të terrenit të vështirë.
Përgjatë natës ekipi punoi në grup, ku të gjithë së bashku arritën në orën 7.36 majën e malit.
Ajo realizoi malin e 6-të mbi 8 mijë m në Himalaja ku bëri krenar një komb dhe të gjithë komunitetin e alpinistëve dhe bjeshkëtarëve të Kosovës e Shqipërisë.
Meritë për këtë kanë e gjithë familja, miqtë e donatorët që ndihmuan në këtë ekspeditë”.
Në këtë arritje historike të Uta Ibrahimit, meritë të jashtëzakonshme pati Xhimi Begeja, që me eksperiencën e tij dëshmon si trajner e lideri më i suksesshëm në sportin e alpinizmit shqiptar.