Aliti: Në Paris presim medalje nga xhudo, për Lojërat Mesdhetarë të punojmë me urgjencë

Në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, Kosova do të përfaqësohet me nënë sportistë, por pritjet për të rrëmbyer medalje janë nga sporti i xhudos. Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Aliti.

Aliti: Në Paris presim medalje nga xhudo

“Sportet ku kemi norma olimpike natyrisht që i kemi pritshmëritë më të mëdha, por duhet të jemi shumë real dhe objektiv që nuk jemi i vetmi shtet që ushtrojmë dhe të tjerët po presin sepse edhe të tjerët ushtrojnë. Natyrisht që në sportin e xhudos ku i kemi 5 norma olimpike, faktikisht të pesë sportistët janë kandidatë për medalje, por ne si Komitet Olimpik do të ishim shumë të lumtur sikur Kosova të fitonte edhe një medalje në Paris, edhe atë të bronztë, por mendoj se konkurrenca është shumë e vështirë, duhet të jemi shumë real në menaxhimin e pritshmërive sepse pritshmëritë e mëdha mund të krijojnë presion ekstrem te sportistët”, tha Aliti.

Përtej Lojërave Olimpike, institucionet sportive në vend janë të angazhuar edhe në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë në vitin 2030. Aliti për këtë çështje ka thënë se ende janë brenda afateve të nevojshme për të kryer punët që i kërkon ky organizim gjigant.

Aliti: Jemi ende brenda afateve për punët që duhen bërë për Lojërat Mesdhetare

“Unë personalisht mendoj që kemi kohë të mjaftueshme, jo edhe shumë kohë, mendoj që duhet të fillojmë në mënyrë urgjente investimet në infrastrukturë sportive, por për këtë ekzistojnë edhe disa segmente që duhet të plotësohen më herët. Jemi të detyruar që deri në muajin shtator ta themelojmë komitetin organizativ dhe kjo është primare…Mendoj që akoma nuk ka hapësirë për një shqetësim tepër të madh, mendoj që jemi në afatin e duhur për të themeluar komitetin organizativ, për ta bërë masterplanin dhe për të kryer konceptin e operimeve se si do të organizohen në mënyrë operacionale Lojërat Mesdhetare”, theksoi Aliti.

Sipas tij, shqetësime ka sa i përket infrastrukturës sportive për shkak se mund të jenë çështjet procedurale që mund të vonojnë në nisjen e punimeve në ndërtimin e palestrave dhe stadiumeve të reja.

Aliti: Ka shqetësime në lidhje me ndërtimin e infrastrukturës sportive

“Gjithsesi shqetësimi ekziston te infrastruktura, te infrastruktura sportive sepse i dimë procedurat se si bëhet prokurimi në Kosovë, e dimë se sa mund të zgjas ai prokurim deri te ndërtimi i një palestre sportive, stadiumi sportiv apo një kompleksi multi sportiv…Ajo që më gëzon është përkushtimi absolut i të gjitha niveleve qeveritare dhe joqeveritare për Lojërat Mesdhetare, ekziston vullneti, ekziston përkushtimi, ka ekzistuar nga momenti i kandidaturës dhe akoma ekziston”, vijoi më tutje Aliti.

Në ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare, Aliti e ka lënë të hapur mundësinë që të performojë njëra nga yjet botërore të muzikës, Dua Lipa ose Rita Ora.

Aliti: Ende nuk kemi komunikuar me Dua Lipan ose Rita Orën në performancë në Lojërat Mesdhetare

“Nuk kemi ndonjë komunikim zyrtar për momentin, por natyrisht që është dëshira jonë. Dëshira e cilit shtet nuk kish qenë që Dua Lipa të jetë shtetit nikoqir, në këtë rast ne e kemi fatin që Dua Lipa është e Kosovës, që Rita Ora është e Kosovës dhe unë mendoj që këtu mund të bëhet një strategji fituese sepse për ne është një krenari e jashtëzakonshme, një piarë i jashtëzakonshëm, por njëkohësisht edhe Dua Lipa edhe Rita Ora janë krenare që janë nga Kosova dhe mendoj që ato do ta kenë krenarinë dhe modestinë maksimale që të jenë personat që do të jenë këtu performues në Lojërat Mesdhetare”, bëri të ditur Aliti.

Në fund, sekretari i KOK-ut u ka bërë thirrje të gjitha federatave sportive që të kenë angazhim shtesë për të nxjerrë sportistë të rinj që Kosovës t’i japin përfaqësim dinjitoz në garat e ardhshme ndërkombëtare.

Read Previous

Moti për ditët në vijim

Read Next

Kurti për masakrën e Poklekut: Ai hi i mbledhur, ai varr i përbashkët është dëshmi e gjenocidit të Serbisë