Albin Tahiri do të garojë të enjten në kombinim alpin, disiplinë kjo që përbëhet nga lëshimi dhe sllallomi në skitari, në Lojërat Olimpike Dimërore që po mbahen në Pekin të Kinës.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) thotë se Tahiri ka gjasa shumë të mira të realizojë synimet e tij, të cilat tashmë janë rritur më shumë se sa përfshirja në top 30-she, që ishte qëllimi i tij.
Meqenëse, numri i garuesve është vetëm 27 sosh, shkaku i mungesës së normave olimpike të skitarëve në të dyja këto disiplina, Albinit i janë shtuar ambiciet për të përfunduar në mesin e 15 më të mirëve në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022. Ai ka numrin rendor 25.
Gara e tij me kohën tonë lokale do të nis në ora 3:30 në lëshim, ndërsa sllallomi fillon në ora 7:15.
Albini ka zhvilluar sot përgatitjen e fundit, ndërsa fokusi i tij kryesor ka qenë tek lëshimi.
Kjo do të jetë paraqitja e dytë e Tahirit në “Pekini 2022”. Në paraqitjen e parë ai e ka regjistruar kohën më të mirë personale të tij në Lojëra Olimpike Dimërore.
Skitari kosovar garoi në lëshim alpin, të cilën e kaloi për 1 minutë e 52 sekonda e 44 të qindtat.
Ai u rendit i 35-ti nga 43 garues, e cila është renditja e tij më e mirë në Lojërat Olimpike Dimërore.
Tahiri i ka fituar katër norma olimpike në ciklin kualifikues.
/GazetaExpress/