Albin Kurti pasi u nominua për kryeministër: Ne refuzojmë Qeveri pazaresh

Albin Kurti është nominuar kandidat për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 28.12.2025 në Kosovë.

Ky nominim i Kurtit u bë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.

Nënkryetari Glauk Konjufca në fjalën e tij tha se po e nominon kryeministrin më të suksesshëm në historinë e Kosovës e më meritorin në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë do ta nominoj më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë sonë, më meritorin në udhëheqjen e LVV, liderin e vërtetë të transformimit social, kryeministrit më të suksesshëm, Albin Kurtin”- tha Konjufca.

Konjufca gjatë mbledhjes kritikoi partitë opozitare, duke thënë se ata bllokuan shtetin vetëm që të dobësojnë LVV-në dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Qëllimi ynë nuk ka qenë që të ecim vetëm por që të ecim bashkë më partnerin tonë. E bëmë dhe këtë përmes ftesave tona por u refuzuam. Refuzimi në demokraci nuk është fundi i botës, ne u përgatitëm që pjesa tjetër e opozitës do ta bënte Qeverinë. Numrat objektivisht ishin por ata refuzuan që ta bënë dhe Qeverinë. LVV nuk e lanë, vetë nuk deshën, prandaj qytetarët me të drejtë pyesin: atëherë çka duan këta në të vërtetë? Ata vetëm duan të bllokojnë gjithçka ashtu që bllokimi i shtetit të fillojë të duket si dobësim i LVV-së. Kjo është agjendë shumë e dëmshme, unë do ta quaja anti-shtetërore. Edhe nëse nuk ka buxhet, edhe nëse nuk dalin pagat, nuk ka lidhje thonë ata, me rendësi Albin Kurti me dështu. Kjo do të thotë ta sakrifikosh shtetin që Albin Kurti të dalë keq. Nuk prezantuan asnjë program, as vizion, për Qeverinë por vetëm që Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër”- tha ai.

Propozimi u votua unanimisht nga delegatët.

Pas nominimit si kandidat për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u është drejtuar me një fjalë rasti delegatëve të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Kurti tha se situata në të cilët gjendet aktualisht vendi nuk është situatë të cilën LVV e ka dëshiruar.

Ai deklaroi se partitë opozitare kanë për qëllim shkaktimin e një krize sociale me refuzimin e tyre për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e shtetit dhe buxhetin për Prishtinën e Gjilanin.

“Refuzuan bashkëpunimin për marrëveshje, më refuzuan mua, e refuzuan Glauk Konjufcën, por janë gjithashtu të njëjtit që refuzuan Albulena Haxhiun – gruan më të votuar në zgjedhje dhe janë ata që refuzuan votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, refuzuan ta financojnë RTK-në, refuzuan buxhetin e komunave, e refuzuan edhe buxhetin e vitit 2026 dhe sot gjendemi para zgjedhjeve të reja. Kjo nuk është situata që ne duam dhe as që kemi menduar që të përfundojmë kështu por përfunduam kështu pasi këto parti bllokuan vendin për 10 muaj. Ata dëshirojnë që njerëzit të mbesin pa paga e borxhe të shtuara, pra një krizë e cila është veçse legale dëshirojnë ta shndërrojnë në krizë sociale sepse krizë ekonomike në vendin tonë nuk ka”- tha ai.

Kurti tha se me LVV partitë mund të negociojnë për zgjedhjen e shumë çështjeve por jo marrëveshje ku ndahen terminale e poste ambasadorësh.

“Na thonë që të tjerët e kanë bërë Qeverinë me 20-30%. Unë pajtohem që kanë bërë Qeveri e kanë zgjedhur poste edhe me 7% por ne refuzojmë Qeveri pazaresh. Me mua mund të bashkëpunosh që të zgjidhim sa më shumë çështje, e të dëgjojmë sa më shumë halle të qytetarëve por jo marrëveshje ku ndahen terminale apo poste ambasadorësh. Pra, arsyeja pse nuk  kemi marrëveshje nuk është mungesa e ofertave por bllokimi nga ana e tyre”- tha Kurti. /Kallxo.com

Read Previous

Rektori i Unversitetit “Fehmi Agani” reagon ndaj disa akuzave

Read Next

Moti i vranët dhe me reshje shiu