Manchester City e mbylli në mënyrë dramatike mbrojtjen e titullit në Kupën e Botës për Klube, pasi u eliminua nga Al Hilal me rezultat 4-3 pas vazhdimeve në një ndeshje emocionuese në Orlando.
Skuadra e Pep Guardiolës kaloi herët në epërsi me golin e Bernardo Silvës, ndonëse mes polemikave për prekje me dorë të Gundoganit. City dominoi pjesën e parë, por falë pritjeve të shkëlqyera të portierit Yassine Bounou, epërsia mbeti minimale, përcjellë KosovaPress.
Menjëherë pas pushimit, Al Hilal përmbysi gjithçka brenda shtatë minutash me golat e Marcos Leonardos dhe Malcom. Haaland barazoi shpejt për 2-2, por ndeshja shkoi në vazhdime pasi të dyja skuadrat nuk gjetën rrjetën deri në fundin e kohës së rregullt.
Në kohën shtesë, Kalidou Koulibaly shënoi me kokë për 3-2, por Phil Foden barazoi sërish për Cityn. Fitorja për Al Hilal erdhi në minutën e 113-të kur Marcos Leonardo realizoi golin e dytë personal, pas një pritjeje të Edersonit ndaj Milinkovic-Savic.
Al Hilal tani kualifikohet në çerekfinale ku do të përballet me Fluminense. Kjo humbje i dha fund rekordit perfekt të Guardiolës në këtë turne.
KosoavPress